Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Në cilat rajone të Kosovës ka më shumë raste ku policët përfshihen në dhunë në familje?
Pesë zyrtarë policorë janë arrestuar dhe suspenduar gjatë këtij viti nën dyshimet se kanë rrahur bashkëshortet e tyre apo edhe familjarë të tjerë.
U.D i Kryshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj, në një intervistë ka treguar se në cilat regjione apo njësi punojnë zyrtarët policor që janë përfshirë në dhunë në familje.
“Inspektorati Policor i Kosovës ka trajtuar, disa raste të dhunës në familje edhe gjatë vitit 2020 si rezultat i hetimeve të këtyre rasteve janë arrestuar pesë zyrtar policor gjithashtu janë suspenduar. Janë të shpërndarë, varësisht prej incidenteve që kanë ndodhur, pothuajse në të gjitha regjionet në Prishtinë duhet të jetë numri më i madh, në Prizren, Pejë, Gjilan, varësisht ku ka numër ma të madh të zyrtarëve policor mund të ketë raste më shumë të këtyre veprave”, tha Hodaj.
Ai shtoi se ka një tendencë të lehtë të rritjes së rasteve të dhunës në familje.
“Nuk kemi bërë një analizë të tillë se cili është shkaku i vërtetë mirëpo që ka zyrtar policor që janë të përfshirë në dhunë shihet që ka raste që ndodhin pothuajse shpesh e rëndësishme është se po i trajtojmë të gjitha dhe po zhvillojmë hetime për secilin rast dhe po ngrisim kallëzime penale në të gjitha rastet ku dëshmohet dhe mund të krijohet dyshimi i bazuar që është kryer vepër penale”, shtoi ai.
Tutje Hodaj tregon se çdo rast i cili nuk trajtohet mirë i dhunës në familje është dekurajues.
“Çdo rast i dhunës në familje është dekurajues, në rast se përfshihen zyrtarët policor është edhe më tepër sepse zyrtarët policor janë përgjegjës për me hetu dhe trajtu vet këto raste dhe kur ata vet përfshihen në këto raste normal që është dekurajues mirëpo është inkurajues fakti që ne po i hetojmë dhe po i nxjerrim përgjegjës të gjithë ata zyrtarët që përfshihen në të gjitha veprat penale vetëm të dhunës në familje dhe po punojmë që në polici të kemi persona përgjegjshëm dhe të pastër e jo zyrtar që janë të përfshirë në vepra penale”, shtoi ai.
U.d i kryeshefit tregoi tutje se ka raste ku zyrtarët policor janë recidivist të dhunës në familje.
“Mund të ketë zyrtarë që janë recidivist të dhunës në familje. Natyrisht nuk është imazh i mirë por këto janë procese që varen nga procedurave penale, vendimeve të gjykatave, nëse ne e ngrisim një kallëzim penal dhe epilogu në gjykatë del në favor të tij dhe masë të lehtë që detyrimisht nuk kërkon largimin nga puna pastaj mund të vazhdoj të punoj dhe të përsëritet prapë e njëjta situatë. Mirëpo nuk ka raste të shpeshta ku ka recidivist të veprave të kësaj natyre”, shtoi ai.
Një zyrtar policor në Gjilan i cili kishte rrahur e më pas dëbuar nga shtëpia bashkëshorten e tij, tani më ka edhe aktakuzë.
“Ky rast është trajtuar nga IPK, janë zhvilluar hetimet penale, është ngritur kallëzim penal sipas informacioneve të fundit është ngritur edhe aktakuzë ndaj këtij zyrtari, i njëjti vazhdon të jetë i suspenduar akoma”, shtoi Hodaj.
Në lidhje me këto raste, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka thënë se trajtimi i dhunës dështon kur njëri nga institucionet që trajton këto raste nuk kryen punën e duhur.
“Trajtimi i dhunës në familje nuk i takon vetëm një institucioni, është një zingjir i institucioneve dhe cili do nga ky zingjir nëse ndonjë zyrtar nuk e bën punën sic duhet atëherë normal që ka me dështu krejt trajtimi i rastit”, tha Berisha.
Ajo tregon për trajtimin e grave nga RrGK, të cilat kanë qenë viktima të dhunës në familje.
“Kemi pasur raste të dhunës në familje, edhe raste kur polici ka abuzuar me një të mitur, kemi raste kur zyrtarët e kanë keqpërdor punën e tyre dhe kanë ushtruar presion apo i kanë frikësu viktimat mos me raportu dhunën do të thotë pa qenë anëtar të familjes por edhe vetë polici që është i punësuar si polic brenda familjes së tij ka ushtruar dhunë, kemi pasur raste kur është përdorur edhe arma zyrtare për tentim vrasje për një grua”, shtoi ajo.
Në emisionin e sotëm u transmetua edhe intervista me Majorin e Policisë së Kosovës, Ramadan Ahmeti.
Ai thotë se vetëm ketë vit pesë raste të dhunës në familje kanë përfunduar me fatalitet.
“Këtë vit sipas shifrave i kemi pesë raste, që viktimat që rastet e dhunës në familje kanë rezultuar me vrasje. Tek ne është procedurë standarde se si duhet të veprohet. Edhe rastet e dhunës në familje që kanë rezultu me vrasje duhet patjetër të reagohet me kohë shpejt të mblidhen provat, të thirret i dyshuari, viktima të strehohet të intervistohen dëshmitarët me kohë dhe të procedohet lënda në gjykatë”, tha Ahmeti.
Ahmeti nuk kishte të dhëna se zyrtarët policor që kanë qenë të përfshirë në dhunë në familje punojnë në polici ende.
“Nuk kam të dhëna që të përgjigjem se a punojnë ende këta zyrtarë policor që kanë pasur raste të dhunës në familje. Imazhi dëmtohet për çfarëdo veprimi që një zyrtar i uniformuar vepron ose bën diçka në kuadër të jetës private por edhe zyrtare, megjithatë unë konsideroj që imazhi i policisë dëmtohet më së shumti nëse nuk reagohet apo mbulohen, injorohen dhe nuk merret askush”, përfundoi Ahmeti.