Në Burgun e Sigurisë së Lartë fillon prodhimi qeseve për mbeturina

Shërbimi Korrektues i Kosovës në kuadër aktiviteteve të punës së organizuar nëpër institucione korrektuese, ka pranuar donacion nga OJQ “Help Kosovo”, makinë për prodhimin e qeseve të mbeturinave.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se me fillimin e prodhimit të qeseve për mbeturina nga të burgosurit , përveçse synohet rehabilitimi edhe risocializimi i tyre, synohet edhe ulja e shpenzimeve ekonomike, e po ashtu  edhe rritja e nivelit të higjienës dhe pastërtisë brenda institucioneve korrektuese.

“Vetëm në kontingjentin e parë janë prodhuar 120 mijë copë qese të mbeturinave, ku rrjedhimisht është kursyer buxheti i SHKK-së për 5000 euro”, njofton SHKK.

Sipas tyre, puna është duke u kryer nga të burgosurit e BSL-së, ndërsa është duke u udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Njësia Ekonomike e SHKK-së.

“Në punë janë të angazhuar rreth pesë të burgosur, e që gradualisht në vitin e ardhshëm synohet edhe në rritjen e kapaciteteve prodhuese, me çka do të rritet edhe numri i të punësuarve”, thuhet në njoftim.

Aktualisht në Burgun e Sigurisë së Lartë janë duke funksionuar tri punëtori, në të cilat bëhet prodhimi i letrës higjienike, prodhimi i qeseve të mbeturinave, si dhe  zdrukthëtaria.

Në këto punëtori janë të angazhuar mbi njëzet të burgosur, ndërsa produktet e prodhuara do të përdoren për nevojat e të gjitha institucioneve korrektuese.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se qëllimi kryesor është që me anë të Njësisë Ekonomike  të angazhoj të burgosurit në punë dhe aktivitete të ndryshme, po ashtu me anë të punës së organizuar në instuicione korrektuese synohet  në një ulje të konsiderueshme të shpenzimeve.