Në Burgjet e Kosovës, janë të infektuar 19 zyrtarë dhe një i burgosur me COVID-19

Pandemia COVID-19 është përhapur në të gjitha institucionet në Kosovë.

Kjo për shkak të shtimit të rasteve të të infektuarve me coronavirus.

Shërbimi Korrektues i Kosovës aktualisht ka të infektuar 19 zyrtarë korrektues, ndërsa të njëjtit po qëndrojnë në vetizolim.

Në disa përgjigje për KALLXO.com, SHKK jep shifrat me të prekur me COVID-19.

“Nga fillimi i pandemisë e deri më sot, kemi pas 26 zyrtarë korrektues të prekur me “Covid-19”.  Aktualisht të konfirmuar me COVID-19 janë 19 zyrtarë korrektues, të njëjtit po qëndrojnë në vetizolim”, thuhet në përgjigjet e SHKK-së.

Tutje në përgjigje thuhet se gjatë kësaj periudhë të pandemisë kane qenë vetëm dy të burgosur të infektuar me COVID-19.

“Deri tani kemi vetëm dy raste të burgosurve të infektuar. Ndërsa një i paraburgosur, i cili ishte i diagnostikuar me COVID-19 Pozitiv, te njëjtit me vendim të gjykatës i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak. Aktualisht, vetëm një i burgosur është i infektuar me COVID-19”, thuhet në përgjigje.

Në Kosovë, në bazë të statistikave të fundit, numri i të prekurve me COVID-19 është 9,492.

Nga kjo shifër janë shëruar 5,346 persona, ndërsa numri i viktimave është rritur për 15 sot.

Gjithsej numri i të vdekurve nga coronavirus është 284.