Kryeministri Albin Kurti dhe Ndihmës Sekretari amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James C. O’Brien, në Ambasadën e Kosovës në Belgjikë më 04.12.2024. Foto: ZKM

Në Bruksel, Kurti e O’Brien diskutojnë për sulmin në Ibër-Lepenc

Kryeministri Albin Kurti ka takuar Ndihmës Sekretarin amerikan për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike James C. O’Brien, në Ambasadën e Kosovës në Belgjikë.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, theksi i diskutimit ka qenë te sulmi terrorist i 29 nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit, përderisa kanë folur edhe për marrëdhënies dypalëshe e zhvillimet me interes të përbashkët.

Kurti ka njoftuar O’Brien për detjaet e sulmit dhe reagimin e institucioneve për të sanuar dëmin.

“Gjatë këtij takimi, kryeministri theksoi rëndësinë e arrestimit dhe ekstradimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin Prokuroria tashmë ka një aktakuzë prej 160 faqesh për të dhe grupin e tij, dhe i cili vazhdon të paraqesë rrezik për sigurinë e vendit dhe të rajonit për sa kohë që endet i lirë në Serbi dhe ka mbështetjen e Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aparatit shtetëror atje” – thuhet në njoftim.

Kurti ka falënderuar O’Brienin për mbështetjen e tyre në hetimin e këtij sulmi.

Në komunikatë përmendet edhe fakti që ky sulm është i tretë të tri ditë ndaj institucioneve të Kosovës, pas sulmeve në Stancionin e Policisë dhe në ndërtesën e Kuvendit Komunal në Zveçan dhe sulmin e dytë në nivel të sigurisë kombëtare, duke iu referuar edhe sulmit të 24 shtatorit 2023 në Basnjkë.

Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, Kurti është takuar edhe me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, me presidentin e ri të Këshillit Europian, António Costa dhe ka marrë pjesë në një darkë të përbashkët të liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Diplomatja Kallas, më 03.12.2024 është takuar ndaras edhe me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimit, ajo tha se rruga e vetme për anëtarësim në BE është normalizimi i marrëdhënieve bazuar në Marrëveshjen e Ohrit.

Kallas po ashtu tha se ka mirëpritur gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht pas sulmit të fundit terrorist të ndodhur në kanalin e Ibër-Lepencit.

Kurti tha pas takimit se me Kallasin ka diskutuar për çështjen e integrimit europian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje, teksa shtoi se Kallas është “në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.

“Nga liderët që ka Europa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova, që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave europiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi” – tha Kurti.

Ndërsa, Vuçiq deklaroi se me shefen e re të diplomacisë së BE-së ka zhvilluar bisedë të “hapur dhe të vështirë”.

Vuçiq shkroi në “Instagram” se Kallas foli për domosdoshmërinë e dialogut me Kosovën, “zgjidhjen e rastit të Banjskës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.

Ndërsa theksoi se ai është përgjigjur në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë.

Takimet e Kallas me krerët e Kosovës dhe Serbisë mbahen disa ditë pas një shpërthimi në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, në veri të Kosovës.

Kosova ka fajësuar Serbinë për shpërthimin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do të hetojë këtë rast.

Shpërthimi që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër- epencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si sulm terrorist.

Bashkimi Europian e ka cilësuar sulmin e 29 nëntorit në Zubin Potok “akt terrorist” dhe “sabotues” të infrastrukturës kritike të Kosovës.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit Jovan Viqentijeviq lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, më 29.11.2024

Ndërkaq, me 02.12.2024, Policia e Kosovës bëri të ditur se më 01.02.2024 ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit.

Për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.