Në Britani të Madhe këtë javë nisin testimet për vaksinën kundër coronavirusit

Britania e Madhe ka bërë të ditur se këtë javë do të nisin tesimet në njerëz për një vaksinë kundër pandemisë COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka thënë se është i sigurt se do të bëjnë çkado që kanë në dorë për zhvillimin e vaksinës, raporton BBC.

Ai thotë se Mbretëria e Bashkuar “ka dhënë më shumë para se çdo vend tjetër në kërkimin e vaksinave”.

Ai përmendi eksperimentet në universitetet e Oksfordit dhe Imperial College në Londër, duke thënë se ata janë “të dy projektet premtuese” duke bërë “përparim të shpejtë”.

Ai thotë se qeveria do të japë 20 milionë funta për ekipin e Oksfordit për të financuar provat e tyre klinike – dhe ata do të testojnë një vaksinë në njerëz, duke filluar nga dita e enjte.

Britania e Madhe është në mesin e shteteve me numrin më të lartë të rasteve dhe viktimave me COVID-19.