Bibaj, Ferizaj | 20.01.2025 Foto: Rexhep Maloku/ KALLXO.com

Në Bibaj të Ferizajit Trumpi ‘inaugurohet’ President para betimit në Uashington

Në prag të betimit të presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, një fshat i Kosovës ka shënuar në mënyrë simbolike inaugurimin e Presidentit të 47 të SHBA-së.

Dhjetëra nxënës me veshje të zgjedhura kastile e flamuj në duar kanë marshuar përgjatë shtegut, anash të cilit janë vendosur 47 flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në oborrin e shkollës “Muharrem Shemsedini” në fshatin Bibaj të Ferizajit.

Ata kanë dalë nga shkolla, në ballë të së cilës ishin vendosur posterët e mëdhenj me fotografinë e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump – disa orë para Ceremonisë zyrtare të Inaugurimit të tij, që po zhvillohet në SHBA, më 20.01.2025.

Bibaj, Ferizaj | 20.01.2025
Foto: Rexhep Maloku/ KALLXO.com

“Faleminderit Amerikë (dhe) Trump”

“Faleminderit Amerikë dhe Trump” shkruan poshtë fotografisë portret të Presidentit të 47 të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që pritet të betohet të hënën.

“Unë jam krenar që Shkolla jonë e manifeston inaugurimin e presidentit amerikan, Donald Trump.” – ka thënë njëri nga filloristët, shoqëruar nga Drejtori i Shkollës e mësimdhënësit.

Ceremoninë simbolike inauguruese e ka quajtur edhe aktivisti i fshatit, Faton Haxhisalihu – duke falënderuar Shkollën që mbështeti nismën e Këshillit të Bibajve.

Fshati Bibaj dhe Shkolla “Muharrem Shemsedini” e kishin organizuar një Ceremoni të ngjashme edhe në 20 janarin e vitit 2021, kur demokrati Joe Biden do të betohej si Shef i ri i Shtëpisë së Bardhë, pasi e kishte mposhtur republikanin Trump atë botë.

“Dhe ne bashkë me ta (amerikanët) ndajmë kënaqësinë.” – ka thënë Haxhisalihu.

100 flamuj amerikanë, kuq e zi dhe të Kosovës janë vendosur në rrethojat e Shkollës përgjatë rrugës që mban emrin e të birit të ndjerë të presidentit të deritanishëm amerikan, Joe Bidenit: “Joseph Beau” – Biden i Tretë.

Gazmend Fazliu, drejtor i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Muharrem Shemsedini” ka thënë se Shkolla e ka mbështetur propozimin e fshatit, për të shprehur falënderim për ndihmën kritike amerikane – jo vetëm për çlirimin e Kosovës, por edhe për shtetndërtimin e Republikës më të re europiane.

“Padyshim se e kam ofruar mbështetjen time: qoftë logjistike, qoftë në aspektin e nxënësve, që ta përkrahim e ta mbjellim këtë ndjenjë, për këta miq tanë që i kemi me shumë vite, që na përkrahin si shtetin e Kosovës, po ashtu edhe të gjithë shqiptarët.” – ka thënë Fazliu në oborrin e Shkollës, derisa fëmijët po valonin flamujt në temperatura të acarta.

Bibaj, Ferizaj | Më 20.01.2025; Foto: Rexhep Maloku/ KALLXO.com

Fshati Bibaj shtrihet në dalje të Ferizajit dhe kufizohet me Sojevën – fshati ku ndodhet kampi amerikan, “Bondsteel”.

Si Sojeva, edhe fshati Bibaj ka përfituar mjaft shumë prej pasluftës prej punësimit të banorëve të tij në këtë kamp dhe në misione të ndryshme amerikane në Lindje të Mesme e gjetiu, por nëpërmjet edhe bizneseve përgjatë rrugës, pasi frekuentoheshin prej punëtorëve të “Bondsteelit”, ku tani ka rënë dukshëm numri i të punësuarve.

“Bojkoti amerikan”, mesazh për pushtetin?

Por ndryshe nga inaugurimi simbolik i 20 janarit 2021, kësaj here nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit amerikanë të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Banori i fshatit, Faton Haxhisalihu beson se amerikanët nuk iu përgjigjën ftesës për shkak të kohës së fushatës zgjedhore në Kosovë.

Gjatë aktivitetit të sotëm në oborrin e Shkollës ishte një kandidate për Deputete.

Ai thotë se mospërfaqësimi i KFOR-it e ka zbehur pak aktivitetin falënderues. Por është zotuar se fshati Bibaj edhe në të ardhmen do të organizojë “Ceremoni të ngjashme Inaugurimi”, sa herë Presidenti betohet fituesi i Zgjedhjeve amerikane.

Për aktivistin e shoqërisë civile, Kenan Gashi, nga AVONET, mosprania e amerikanëve është mesazh për politikën kosovare, sidomos për pushtetin qendror sherri i mospajtimeve të Kosovës me aleatët perëndimorë.

“Për mua është brengë dhe shqetësim pse asnjë zyrtar amerikan e asnjë pjesëtar i Ushtrisë amerikane nuk është në një aktivitet të tillë.” – ka theksuar Gashi.

“Pavarësisht asaj, ne si qytetarë dhe si aktivistë, jemi shumë të kënaqur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë segment kryesor në shtetndërtimin tonë, në ngritjen e kapaciteteve të shoqërisë sonë dhe në mbështetjen e vazhdueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.” – theksoi ai.

Drejtori Fazliu thotë se është e rëndësishme që populli i Kosovës t’ia dëshmojë edhe më këtë Ceremoni aleatëve amerikanë, se do të jetë krah tyre pavarësisht se kush është në krye të Shtëpisë së Bardhë.

“Ne nuk kemi mundësi të tjera për të dëshmu, por dëshminë e kemi vetëm morale dhe përkrahjen ndaj tyre, sidomos në këto orë që bëhet betimi i presidentit Trump.” – ka thënë Fazliu.

Përderisa një tjetër nxënës mbante në dorë edhe një flamur të Kosovës, në sfond dëgjoheshin këngët e Ilir Shaqirit dhe Shkurte Fejzës për dëshmorët e lirisë.