Samiti i Ballkanit të Hapur në Beograd (02.09.2022), Foto: RFE/REL

Në Beograd nis samiti i Ballkanit të Hapur

Në Beogradi po mbahet takimi i ri në kuadër të Ballkanit të Hapur, ku po marrin pjesë zyrtarë nga shtetet e kësaj nisme, por edhe nga Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Hungaria dhe Turqia.

Ballkani i Hapur është nismë e përbashkët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, që ka për synim lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave mes shteteve pjesëmarrëse.

Deri më tani, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina zyrtarisht nuk i janë bashkuar nismës, ndonëse përfaqësuesit e Bosnjës, për herë të dytë po marrin pjesë si të ftuar në takimet e kësaj nisme.

“Suksesi i këtij projekti varet shumë në atë se sa ne do ta konsolidojmë paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në nisjen e samitit.

Vuçiq së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, po kryesojnë këtë samit.

Vuçiq po ashtu tha se marrëveshjet e posaçme, në rast se ka ndalesa për eksportet e produkteve të caktuara, do të japin garanci se ndalesat nuk do të aplikohen për shtetet anëtare të Ballkanit të Hapur.

“U bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë, si në Qeveri ashtu edhe në opozitë, që të njohin rëndësinë e këtij projekti. Është shumë e rëndësishme për ne që të krijojmë një grup punues për parandalimin e krizave, pasi që e dimë se një vjeshtë dhe dimër i vështirë po afrohen”, tha Vuçiq.

Në takimin e 2 shtatorit po marrin pjesë kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnjë e Hercegovinë nga radhët e komunitetit serb, Zoran Tegeltija. Po ashtu të pranishëm janë edhe kryediplomati i Hungarisë, Peter Szijjarto dhe ai i Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

“Pavarësisht faktit se disa ende nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur, shpresoj që ne do të zhvillojmë bashkëpunimin më të suksesshëm të mundshëm”, theksoi presidenti i Serbisë.

Rama: Ftesë për Greqinë dhe Italinë

Në hapje të samitit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ftesa për pjesëmarrje u është dërguar edhe ministrave të Jashtëm të Greqisë dhe Italisë, por të njëjtit nuk kanë mundur të marrin pjesë në takimin e Beogradit.

“Shpresoj që do të marrin pjesë në takimin në Tiranë. Është shumë e rëndësishme për ne që nisma të mbledhë rreth vetes jo vetëm shtetet e rajonit, por edhe shtetet e rëndësishme nga zona përreth”, tha Rama.

Si pjesë e samitit, në takimin e liderëve do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit që janë përgjegjës për tërheqjen e investimeve brenda kësaj nisme. Po ashtu do të ketë takim të përfaqësuesve të grupeve të krizës, ku do të diskutohet për furnizimet me ushqim dhe energji.

Marrëveshjet dypalëshe do të nënshkruhen gjatë ditës.

Samiti po mbahet pas hapjes së Panairit të Verës, që është ngjarje në kuadër të Ballkanit të Hapur.

“Vizioni i Verës për Ballkanin e Hapur” është ngjarje që u hap më 1 shtator dhe në hapje morën pjesë, Vuçiq, Rama, Kovaçevski dhe zyrtarë të tjetër të shteteve që iniciuan Ballkanin e Hapur më 2019./REL