Ilustrim

Në banesat e të arrestuarit sot në veri të Mitrovicës u gjetën drogë e mijëra euro

Gjatë ditës së sotme një person me inicialet N.P. është arrestuar nën dyshimin se posedonte, shiste e blinte narkotik.

Ai u arrestua në afërsi të një restoranti në veri të Mitrovicës ndërsa gjatë ditës janë bastisur edhe dy banesa të tij nga ku u konfiskuan edhe gjëra materiale në cilësi të provave.

KALLXO.com mëson se pas përfundimit të bastisjes së dy banesave të të dyshuarit janë gjetur rreth 90 mijë euro.

Tutje KALLXO.com gjatë ditës së sotme raportoi edhe se gjatë bastisjeve u gjet edhe substancë narkotike e llojit marihuanë.

Personi i cili është arrestuar sot, dy muaj më parë kishte pasur një incident me veturë. Vetura e tij së bashku me një tjetër ishin djegur deri sa gjendeshin në një oborr në Mitrovicën e Veriut.

Në atë kohë zëvendës drejtori i Policisë në Veriun e Mitrovicës, Besim Hoti kishte thënë se njëra nga veturat kishte pasur probleme me motor dhe nga kjo situatë e njëjta veturë ishte kapluar nga zjarri.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme në lidhje me arrestimin.

KALLXO.com po pret përgjigje edhe nga Policia në lidhje me të njëjtin rast.