Kallashnikov i sekuestruar nga policia në Suharekë, Foto Policia e Kosovës
Në aheng familjar gjuajti me kallashnikov, largohet i dyshuari e më pas dorëzohet në polici
Një aheng familjar në një fshat të Suharekës përfundoi me një person të arrestuar pasi i njëjti po dyshohet se shtiu me kallashnikov.
Vetëm pak minuta pas mesnatës më 31.07.2024, policia kishte pranuar një informacion për të shtëna armësh në fshatin Sallagrazhdë të Suharekës.
Një 27 vjeçar po dyshohet se gjuajti një karikator gjatë një ahengu familjar e më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Kështu të paktën njofton policia të cilët me anë të një njoftimi tregojnë se pasi kishte pranuar informacionin menjëherë kishte reaguar ndërsa i dyshuari fillimisht ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Vetëm pak orë më vonë, i dyshuari ishte paraqitur në polici bashkë me armën të cilën dyshohet se kishte përdorur.
Policia tregon se me rastin ishin duke u marrë sektori i hetimeve të policisë në Suharekë ndërsa sot (31.07.2024) rreth orës 08:30 i dyshuari ishte paraqitur në stacion e më pas i njëjti ishte arrestuar.
Kallashnikovi me një karikator të zbrazët janë sekuestruar nga policia ndërsa është njoftuar edhe prokurori kujdestar për ngjarjen.
27 vjeçari S. N., pas dorëzimit është intervistuar në prani edhe të avokatit mbrojtës ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar i njëjti është dërguar në ndalim policor për 48 orë.
Kundër të dyshuarit tashmë janë iniciuar dy vepra penale, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.