Shtatorja e presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë
Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, në Podujevë përurohet shtatorja e presidentit Ibrahim Rugova
Në Podujevë është përuruar shtatorja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Shtatorja e Rugovës është përuruar në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut.
Në këtë ceremoni të pranishëm ishin ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, djali dhe vajza e presidentit Rugova, i pari i Komunës së Podujevës e shumë deputetë e ministra.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmendi kontributin dhe vizionin e Rugovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe aleancat e krijuara të cilat, sipas saj, janë themel i sigurisë sonë.
“Sot Rugova po i kthehet Llapit në bronz duke u bërë banor i përhershëm i Podujevës. Në të njëjtën datë, 7 shtator, 34 vite më parë u miratua Kushtetuta e Kaçanikut, moment historik i Kosovës për udhëtimin drejt pavarësisë”- u shpreh Osmani më 07.09.2024.
“Miqesitë e krijuara janë bërë shtyllat mbi të cilat qëndron edhe shteti ynë i ri. Vizioni i tij është më aktual se kurrë, si udhëheqës të popullit tonë, ne duhet të mbetemi të bashkuar dhe fokusuar në realizmin e ëndërrave tona. Lidhja mes Kosovës dhe SHBA-së nuk është vetëm një aleancë strategjike, por është themeli i sigurisë sonë”- shtoi më tej Osmani.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla po ashtu vlerësoi kontributin e ish-presidentit Rugova në një fjalim para të pranishmëve.
“U mblodhëm të kujtojmë trashëgiminë dhe figurën e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Kjo gjë po bëhet në një datë shumë të rëndësishme për Kosovën, pra në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut”- tha ajo më 07.09.2024.
Derisa, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u shpreh se kjo shtatore është respekt për të gjithë ata që kontribuan në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ne që kemi punuar nga afër me Rugovën, kemi parë sa i përkushtuar ka qenë në realizimin e aspritiave të Kosovës për liri e pavarësi. Kjo vepër është respekt jo vetëm për Rugovën, por për të gjithë ata që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit”- tha Sejdiu.