Gazetaret ukrainase të strehuara në Kosovë mbajnë një aksion simbolik për nder të 31-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik. Foto: KALLXO.com

Në 31-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, gazetaret ukrainase të strehuara në Kosovë mbajnë një protestë simbolike

Shtatë gazetare ukrainase, të cilat po qëndrojnë përkohësisht në Kosovë, dolën sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të mbajtur një protestë simbolike për nder të 31-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik.

Përmes këtj aksioni ato kërkonin që të ndalet agresioni rus kundër Ukrainës.

“Ndaloni Rusinë!”, “Ndaloni Putinin!”, “Lironi të burgosurit tanë heronj!” dhe “Shpëtoni Azovin!” ishin disa prej thirrjeve që i brohorisnin këto gazetare teksa mbanin flamurin e Ukrainës dhe pankarta në duar.

Gazetaret ukrainase të strehuara në Kosovë mbajnë një aksion simbolik për nder të 31-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik. Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com

Gazetarja Daria Meshcheriakova, e cila është strehuar në Kosovë që nga fundi i majit, tha se pavarësisht që çdo ditë e më shumë u mungon vendi i tyre, ato janë mirënjohëse për mundësinë që u ka dhënë Kosova.

“Sigurisht që na mungon shumë vendi ynë çdo ditë, shpresojmë që nesër të zgjohemi dhe të shohim në lajme se lufta ka mbaruar. Por ne i jemi shumë mirënjohës Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit të Gazetarëve që nga këtu mund të tregojmë më shumë për luftën e saj në mënyrë që bota ta dijë të vërtetën nga ne” – tha ajo.

Meshcheriakova gjithashtu përmendi se ato mund të mbështeten në mediat e Kosovës sepse ato e luftojnë propagandën.

“Unë mund të shoh që ju e luftoni shumë propagandën dhe ne mund të mbështetemi në mediat tuaja këtu dhe mund ta dimë se Kosova është ndryshe nga bota ballkanike për të cilën mund të konkludojmë se është shumë e ndikuar nga propaganda ruse. Të paktën këtu mund ta thyejmë këtë propagandë” – u shpreh ajo.

Gazetarja ukrainase gjithashtu potencoi se ka shumë ukrainas që janë kthyer në Ukrainë por që këtë gjë mund ta bëjnë vetëm nëse kthehen në vende relativisht të sigurta.

“Ka më shumë ukrainas që janë kthyer në Ukrainë sesa kanë mbetur. Tani pothuajse 8 milionë ukrainas janë larguar që nga fillimi i luftës, por tani 5 milionë janë kthyer, kështu që ka një tendencë që ukrainasit të kthehen në shtëpi, por vetëm në rajone relativisht të sigurta. Për shembull, kolegët tanë janë nga rajoni i Luhanskut dhe nuk mund të kthehen sepse ky rajon është i pushtuar” – tregoi ajo teksa theksoi se nuk mund të jenë të sigurt në Ukrainë.

“Ne nuk mund të jemi të sigurt në Ukrainë, sepse Rusisë i pëlqen gjithë simbolika dhe ata na sulmojnë më shumë, edhe më shumë kur kemi një ditë të rëndësishme, kur festojmë një ditë të rëndësishme” – vijoi gazetarja.

Daria përmendi edhe mënyrën se si ato po punojnë për mediat e tyre nga Kosova.

“Të gjithë ne punojmë nga këtu, por punojmë për mediat tona në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ne mund të marrim të gjithë informacionin nga Ukraina, në mënyrë që njerëzit të dinë më shumë për luftën atje”.

Sot, shënohet 31-vjetorii i pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik

Për nder të kësaj dite edhe presidentja e  Kosovës, Vjosa Osmani i ka shkruar një letër presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet më të mira për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës. Ky rast i veçantë normalisht do të ishte shënuar me festime të lavdishme në të gjithë vendin tuaj të bukur, por ndërsa përballeni me këtë luftë të padrejtë dhe të paprovokuar nga Rusia, ne qëndrojmë me ju në solidaritet të plotë, përkrah gjithë botës demokratike, ndërsa ju luftoni që paqja dhe lirina të mbizotërojnë” – ka shkruar Osmani e cila ka thënë se Ukraina do të vazhdojë ta ketë mbështetjen e Kosovës.

“Kam besim se një ditë do të ulemi të barabartë në familjen evropiane, jo vetëm duke bashkëjetuar në paqe, por duke lulëzuar në liri, prosperitet dhe demokraci. Ne jemi me ju në shpirt, ne jemi me ju në veprim dhe do të jemi me ju derisa Ukraina të fitojë” – ka përmbyllur Osmani.

Lufta në Ukrainë tashmë ka hyrë në muajin e gjashtë.

Ishte data 24 shkurt kur në orët e hershme të mëngjesit filloi sulmi rus me raketa që ranë mbi objektiva anembanë Ukrainës dhe trupat tokësore u shfaqën në Ukrainë nga tri drejtime.

Kosova ka strehuar disa gazetarë nga Ukraina të cilët tashmë banojnë në Prishtinë në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë Kosova”.

Ky program është i financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe mbulon kostot e jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar gazetarëve ukrainas të punojnë nga distanca.