Në 30 vjetorin e Konventës, fëmijët kërkojnë të drejta
“Pasi jemi të gjithë të barabartë, pse nuk po uleni në shilte me neve” ishte pyetja e Fluturës nga SOS Fshati e cila i uli në tokë të pranishmit në Biblotekën Kombëtare.
Në 30 vjetorin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, fëmijët nga të gjitha komunitetet në Kosovë shprehqn problemet që po i shqetësojnë.
Me këtë rast u transmetuan 5 videot e përgatitura nga fëmijët e shkollave të Kosovës dhe videoja e Rita Orës për UNICEF, të cilat bartën mesazhin e barazisë dhe drejtave të fëmijëve.
Murat Shahin, Shef i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë tha se kemi obligim të japim më të mirën për fëmijët e Kosovës.
“Konventa i jep të drejtë çdo fëmije . Roli ynë është që t’i japim mundësi më të mira që të dëgjohet zëri i tyre” tha Shahin.
Ndërsa, Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova bëri thirrje që të gjithë fëmijët të rriten të barabartë pa marrë parasysh gjininë, dhe kërkoi respektimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.
“Të gjithë fëmijët kanë të drejtë të rriten me familje dhe në një ambient të sigurt, por ne po shohim fëmijë rriten nën dhunë, punojnë në rrugë, nuk shkojnë në shkollë dhe janë viktima të dhunës në familje” u shpreh Apostolova.
Përfaqësuesja përmendi edhe të arriturat e vajzave shqiptare si Dua Lipa, Rita Ora, Majlinda Kelmendi, Uta Ibrahimi.
Fëmijët shfaqën pakënaqësitë e tyre me anë të pyetje ndaj të pranishmëve.
Disa nga problemet e tyre ishin: shkollimi i fëmijëve, shërimi i fëmijëve të sëmurë jashtë vendit, programet e shkëmbimit të nxënëseve në Bashkimin Evropian, kushtet për inovacion dhe teknologji.
Ahmet Kryeziu , drejtor i ‘Save the Children’ tha se në Kosovë ka shumë sfida për realizimin e të drejtave të fëmijëve.
“Me rastin e 20 vjetorit thërrasim që të gjithë të reflektojnë se sa të drejtat e fëmijëve realizohen në botë. Është momenti kur të gjithë politikbërësit duhet të ndihmojnë në realizmin e të drejtave të fëmijëve” tha Kryeziu.
Christoph Weidinger, ambasador i Austrisë në Kosovë i inkurajoi fëmijët që ta bëjnë atë që dëshirojnë.
“Bëjeni atë! Mundohuni të realizoni ëndrrat e juaja dhe shpresën mos e humbisni” ishin fjalët e ambasadorit.
Konventa mbi të Drejtat e Fëmijëve, është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara me 20 nëntor 1989. Është një nga aktet më të rëndësishme për të drejtat e fëmijëve.