Në 24 orët e fundit, Policia arrestoi disa persona për posedim të narkotikëve

Gjashtë persona janë arrestuar gjatë ditës së djeshme për posedim të lëndëve narkotike të llojit marihuanë.

Sipas të dhënave nga Policia të arrestuarit janë nga qyteti i Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Obiliqit.

Një burrë nga fshati Dardhishtë i Obiliqit është arrestuar pasi i janë gjetur dhe sekuestruar dy qese të vogla me substancë narkotike të llojit marihuanë, një mulli dhe një thikë. Sipas policisë, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Katër raste tjera të arrestimeve për posedim të lëndëve narkotike ishin në Prishtinë.

Në rrugën “Murat Mehmeti” në Prishtinë, u arrestua një burrë pasi gjatë kontrollit i janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 112 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë. Policia bënë të ditur se pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në rrugën “Holger Petersen” të kryeqytetit u arrestua edhe një person tjetër për posedim të narkotikëve.

Në raportin e policisë thuhet se pas kontrollit në veturë, tek i dyshuari është gjetur dhe konfiskuar një qese me substancë të llojit marihuanë me peshë 10.7 gramë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Arrestim tjetër për posedim të substancave narkotike ndodhi edhe në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë, ku tek një burrë pas kontrollit nga ana e policisë u gjetën dhe konfiskuan dy qese e një cigare substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 3 gramë.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu, në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë është arrestuar një burrë pasi gjatë kontrollit në veturë, i ishte gjetur dhe konfiskuar një qese substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë 1.9 gramë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Arrestim tjetër për posedim të narkotikëve pati edhe në Fushë Kosovë.

Në rrugën “Nëna Terezë” u arrestua një burrë pasi gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar 1.2 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Sipas policisë, me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar.