Në 24 orët e fundit janë raportuar 5 raste të dhunës në familje

Sipas Policisë së Kosovës rastet kanë ndodhur në komunën e Prishtinës, Podujevës, Gjakovës dhe të Malishevës.

Në Prishtinë, dje rreth orës 11:00 është arrestuar një person, pasi në vazhdimësi ka shkaktuar dhunë në familje. Ndërsa në seancën gjyqësore ka kanosur verbalisht me vrasje. Me vendim të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në komunën e Podujevës dje rreth orës 11:30 një femër ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është kanosur me vrasje nga bashkëshorti. Sipas Policisë, gruaja me tre fëmijët është dërguar te prindërit e saj, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Gjithashtu në Podujevë në një rast tjetër, një person është arrestuar rreth orës 19:30 pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes. Me vendim të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në komunën e Gjakovës dje rreth orës 10:00, një femër ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i dyshuari mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të Prokurorit, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Kurse në komunën e Malishevës, mbrëmë rreth orës 21:30 janë arrestuar tre persona, babai dhe dy djemtë, pasi ishin rrahur në mes vete. Me vendim të Prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.