Në 24 orët e fundit arrestohen dy burra për dhunë në familje

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar dy persona, në dy raste të ndara në Gjakovë dhe Kamenicë, për dhunë në familje.

Sipas Policisë, në lidhje me rastin e raportuar me 19 maj në Gjakovë, të martën është arrestuar një person pasi që në vazhdimësi ka shqetësuar dhe penguar ish-bashkëshorten e tij.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Ndërsa në Kamenicë, dje është arrestuar një person pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Viktima, sipas policisë, ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë tretman mjekësor në QKMF. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.