Saranda Bogujevci - Foto: Facebook

Në 22 vjetorin e masakrës mbi familjet Duriqi e Bogujevci, kërkohet drejtësi për viktimat

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca, i shoqësuar nga deputetet Vjosa Osmani Saranda Bogujevci, ministrja Donika Gërvalla dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë bërë homazhe te memoriali i familjes Bogujevci dhe Duriqi.

Konjufca tha që masakra mbi familjen Bogujevci e Duriqi na kujton se sa i shtrenjtë ka qenë çmimi për lirinë e Kosovës.

“Ne kurrë nuk do të harrojmë krimet e Serbisë dhe gjenocidin që na ka ndodhë. Sa herë që vijmë këtu na kujtohet sa i shtrenjtë ka qenë çmimi që e kemi paguar për lirinë e Kosovës. Kjo është një masakër ku shumica e të vrarëve janë fëmije e gra, dhe kjo tregon për mizorinë e pashembullt të shtetit serb dhe përmasat e gjenocidit që i ka bërë ndaj popullit tonë”, tha ai.

Konjufca tha që asnjëherë nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për të vrarët në luftën e fundit në Kosovë.

“Për shkak të këtij pikëllimi që kurrë nuk do të harrohet, kjo na bënë edhe më të vendosur që deri në fund t’i shkojmë drejtësisë e ta kërkojmë pa pushim. Shpirtrat e juaj, zemrat e juaja por edhe martirët do të mund të prehen të qetë vetëm atëherë kur drejtësia të vijë në vend”, theksoi ai.

Vjosa Osmani tha se muaji mars dhe prill janë muaj të dhimbjes në Kosovë, pasi që gjatë këtyre muajve kanë ndodhur shumë masakra.

“Është ditë e pikëllimit të madhe për të gjithë Kosovën, është ditë kur e ndajmë dhimbjen me familjen Duriqi, Bogujevci si dhe familjet të cilat për gjatë dy muajve çdo ditë do të përkujtohjne nga një masakër. Krimet mizore që i ka kryer Serbia në çdo cep të Koosvës janë akoma dëshmi e gjallë se qëllimi i Serbisë ishte shfarosja e popullit tonë”, tha ajo.

Ashtu si Konjufca edhe Osmani premtoi drejtësi për të vrarët.

“Ne nuk do të rreshtim kurrë së kërkuari drejtësi, nuk do të ndalemi së qeni zëri i secilit prind, nënë, motër, i secilit familjar që është dashur ta përjetojë ferrin për së gjalli. Nuk do të lëmë gurë pa lëvizur në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për të gjitha viktimat e shtetit gjenocidal serb”, tha ajo.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës si dhe e mbijetuara e kësaj masakre Saranda Bogujevci tha që duhet të punohet për një të ardhme më të mirë.

“Këto ditë të marsit e prillit që po na presin, janë ditë përkujtimi për shumë familje, kjo tregon shumë çfarë kemi përjetuar si popull. Unë kam qenë fëmijë kur kam mbjetu, por në familjen tonë kemi shumë fëmijë që kanë lindur pas luftës. E kemi për obligim që të krijojmë një të ardhme shumë më të mirë për ta”, tha ajo.

Ndërsa kryetari i Komunës së Podujevës, tha se ‘këta përvjetorë ngjallin ndjenjën e mërzisë për shumë familjarë, mbi gjakun e tyre janë vënë themelet e shtetit tonë’.