Rritja ekonomike - Foto: REL/Shutterstock

Në 2020-n ekonomia e Kosovës ra -3.9%, transporti, ndërtimtaria e restorantet aktivitetet më të prekura

Pandemia e virusit COVID-19 dhe masat e ndërmarra në kufizimin e lëvizjes dhe në distancimin fizik me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit, ndikuan në rënie të ekonomisë në vend.

Sipas vlerësimeve preliminare, Bruto Prodhimi Vendor (BPV), pësoi -3.9 për qind rënie në vitin e kaluar

“Rrjedhimisht, vlerësimet preliminare sugjerojnë se në vitin 2020, BPV-ja nominale ka shënuar rënie për 4.0 për qind krahasuar me vitin 2019, ndërsa në terma real, BPV-ja ka shënuar rënie prej 3.9 për qind”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Burimi: Banka Qendrore e Kosovës (BQK)

Burimi: Banka Qendrore e Kosovës (BQK)Sipas raportit të BQK-së, rënia më e theksuar e aktivitetit ekonomik është shënuar në sektorin e transportit dhe magazinimit -25.5 për qind, ndërtimtarisë -24.3 për qind si dhe hoteleve e restoranteve -21.8 për qind.

Ndërsa, rritje reale është vlerësuar të ketë shënuar sektori i shëndetësisë dhe aktiviteteve të punës sociale 16.9 për qind, industria përpunuese 11.7 për qind, informimi dhe komunikimi 10.0 për qind, furnizimi me energji elektrike dhe gaz 9.4 për qind, industria nxjerrëse minerare 4.6 për qind.

Raporti gjithashtu tregon se rënia e vizitave të diasporës si pasojë e masave të ndërmarra kufizuese ndikoi në rënien e eksportit të shërbimeve në – 41.4 për qind rrjedhimisht duke ndikuar në deficitin e eksportit neto prej – 17.5 për qind.

Në mes tjerash, në raport thuhet se në kohën e pandemisë, rënia e importit ndikoi në zbutjen e deficitit tregtar.

“Komponentët tjerë kanë ndikuar në zbutjen e deficitit tregtar. Importi i mallrave dhe importi i shëërbimeve kanë shënuar rënie reale prej – 3.8 për qind përkatësisht – 19.9 për qind, ndërsa eksporti i mallrave ka shënuar rritje reale për 21.4 për qind”, bën të ditur raporti.

Këto të dhëna, Banka Qendrore i bëri të ditura përmes publikimit të raportit vjetor për vitin 2020.