Foto: REL/Reuters

Në 2019-tën, u regjistruan 10 mijë biznese dhe u shuan mbi 1 mijë e 700

Në vitin që shkoi, u regjistruan mbi 10 mijë biznese dhe u shuan mbi 1 mijë e 700 sosh. Në anën tjetër, vetëm në tre muaj tetor-dhjetor të 2019-s, u regjistruan më shumë se në periudhën e njëjtë të 2018-ës, të koncentruar kryesisht në kryeqytet dhe që punësojnë deri në katër persona.

Në tre muajt tetor-dhjetor të vitit 2019 krahasuar me tremujorin paraprak ASK thotë se ka një ngritje për 7.9 përqind të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2018, ka  rritje për 6.9 përqind të ndërmarrjeve të regjistruara.

Tregtia me shumicë dhe pakicë prinë si aktiviteti më i preferuar për të bërë biznes

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 602 (23.46%), Prodhim  me 497 (19.37%), Akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 265 (10.33%), Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 232 (9.04%), Ndërtimtari me 221 (8.61%), etj.”, thuhet në njoftim.

Tutje ASK tregon se në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 mijë e 486 ndërmarrje të regjistruara në këtë tremujor 96.9 përqind, me 5 deri 9 të punësuar janë 53 sosh 2.1 përqind, 10 deri në 19 të punësuar 18 0.7 përqind, 20 deri 249 të punësuar me 9 0.4 përqind dhe në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar nuk kemi asnjë ndërmarrje të regjistruar gjatë këtij tremujori.

Numri më i madh i bizneseve u hapen në kryeqytet

“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave ashtu si në çdo tremujorë mbizotëron komuna e Prishtinës me 831 ndërmarrje të regjistruara (32.4%), Prizreni me 209 (8.1%), Ferizaj me 169 (6.6%), Gjilani me 132 (5.1%), Podujeva me 119 (4.6%) dhe Peja me  103 (4.0%), ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.”, njofton ASK.

Në anën tjetër të dhënat nga raporti i ASK bëjnë të ditur se përgjatë vitit 2019, u regjistruan mbi 10 mijë biznese që është numri më i madh 9i bizneseve të regjistruara në krahasim me vitin 20118 dhe 2017 ndërsa më i ulët në krahasim me vitin 2016. Në vitin 2016 numri i bizneseve të regjistruara ishte mbi 10 mijë e 400 biznese.

Në anën tjetër, të dhënat gjithashtu tregojnë edhe për numrin e bizneseve të shuara përgjatë vitit 2019. Në viti që shkoi, u shuan mbi 1 mijë e 700 biznese, që në raport me dy viteve 2018 dhe 2017 është më i lartë dhe më i ulët në raport me vitin 2016 i cili ishte mbi 2 mijë e 300 biznese të shuara.

Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) lidhur me publikimin e raportit “ Repertori Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë” për tremujorin e katërt të vitit 2019.