Ndërtimtari - Foto: KALLXO.com

Në 2018-n, bizneset më shumë investuan në ndërtim

Në 2018-n, bizneset më shumë investuan në ndërtim, përderisa mikro-ndërmarrjet  dhe të vogla ishin ato që investuan më shumë dhe të orientuara kryesisht në kryeqytet. ASK tregon se më shumë se gjysma e investimeve u realizuan nga fondet e vet bizneseve përderisa pjesa tjetër nga kreditë.

Më shumë investime në ndërtim pati në vitin 2018, por investime pati edhe në makineri dhe pajisje.

“Sipas rezultateve të kësaj ankete, investimet në ndërtim (ndërtesa dhe struktura të tjera ndërtimore) zënë pjesën kryesore të investimeve (68.73%). Investimet e tjera, që zënë një pjesë të konsiderueshme janë ato në: makineri dhe pajisje (21.32%); produktet e pronësisë intelektuale (3.98%); investimet biologjike të kultivuara dhe serat në bujqësi (0.75%); si dhe investimet në asete të prekshme (jo të prodhuara) (5.23%)”, thuhet në njoftimin ASK-së.

Tutje thuhet se sipas madhësisë se ndërmarrjeve: 36.7 përqind e investimeve janë realizuar nga ndërmarrjet mikro (1-9 punëtorë); 35.7 përqind e investimeve në ndërmarrjet e vogla (10-49 punëtorë); 20.9 përqind e investimeve në ndërmarrjet e mesme (50-249 punëtorë); dhe 6.7 përqind e investimeve në ndërmarrjet e mëdha (250+, punëtorë).

ASK tregon se sipas rezultateve të anketës, ndërmarrjet në rajonin e Prishtinës kanë realizuar përqindjen më të lartë të investimeve me 44.4 përqind;  rajoni i Ferizajt me 16.5 përqind; rajoni i Pejës me 14 përqind; rajoni i Prizrenit me 12.6 përqind; Rajoni i Gjilanit me 8.8 përqind; rajoni i Gjakovës me 2.9 përqind; dhe rajoni i Mitrovicës me 0.8 përqind.

“Sipas burimit të fondeve për investime, rezultatet e anketës tregojnë se: 51.5% të vlerës së investimeve, ndërmarrjet i kanë realizuar nga fondet e veta; 21.6% nga kreditë bankare vendore; 19.2 % nga bashkinvestitorët vendorë; 3.2% nga bashkinvestitorët e jashtëm; dhe 4.5% nga format e tjera.”, bën të ditur ASK.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për herë të parë publikon të dhëna për Statistikat e Investimeve në Ndërmarrje për vitin 2018.

Anketën për Statistikat e Investimeve në Ndërmarrje ASK-ja e ka zhvilluar për herë të parë në territorin e Republikës së Kosovës, në vitin 2019. Anketa është zhvilluar në ndërmarrjet që kanë deklaruar blerje investive në shumë vjetore mbi 20 mijë Euro.