Në 13-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës shfaqen tre filma kosovarë

Tre filma kosovarë do të shfaqen në kuadër të shënimeve për 13-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Qendra Kinematografike dhe Ministria e Kulturës, kanë përzgjedhur, për shënimin e këtij përvjetori, tre prej filmave më të suksesshëm të realizuar nga kineastët kosovarë, në vitet e fundit.

“Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, do të shfaqë tre filma kosovarë me rastin e trembëdhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Filmat do të shfaqen në Kinemanë ABC në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kinematografike në Facebook.

Filmit “Nëntori i ftohtë” me regji të Ismet Sijarinës shfaqet sot nga ora 17:00 deri në 19:00.

Filmi “Babai” me regji të Visar Morinës shfaqet nesër, më martë 16 shkurt 2021, nga ora 17:00 deri në 19:00.

Filmi “Zana” me regji të Antoneta Kastrati shfaqet të mërkurë, më 17 shkurt 2021, po ashtu nga ora 17:00 deri në 19:00.