Ndryshon dëshminë dëshmitari “i frikësuar” në gjyqin e Oliver Ivanoviqit

Dëshmitari i dytë në gjyqin për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, tha se dëshiron të ndryshojë dëshminë e mëparshme që ka dhënë para prokurorëve, duke shpjeguar se ka frikë dhe duhet të kishte heshtur.

Një dëshmitar në gjyqin për vrasjen e kreut të partisë politike serbe të Kosovës në vitin 2018, Oliver Ivanoviq, tha në Gjykatën Themelore të Prishtinës të mërkurën se donte të ndryshonte dëshminë që kishte dhënë më parë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Dëshmitari, të cilit gjyqtarët i kërkuan medieve të mos ia përmendnin emrin për arsye sigurie dhe për të shmangur ndërhyrjen të dëshmitarët, tha se ai e mori vendimin sepse kishte frikë.

“Nuk i kam premtuar askujt se do ta ndryshoj deklaratën time, por nuk jam aq i çmendur sa të rrezikoj familjen time… Ka diçka që quhet frikë dhe nuk dua të flas për këtë”, tha dëshmitari, i cili pohoi se dikur ka qenë një mik i mirë i Ivanoviqit.

Ai tha se ekzistonte një “ligj jozyrtar heshtjeje” në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët, ku u vra Ivanoviqi, dhe se ai kishte bërë gabim duke u përfshirë në procesin ligjor.

Ai tha se arsyeja kryesore pse dëshironte ta ndryshonte deklaratën e tij fillestare, e cila u dha në qershor 2018, ishte se ai kishte deklaruar se “fajin e ka Beogradi” për vrasjen e Ivanoviqit, i cili u qëllua për vdekje jashtë zyrës së partisë së tij politike në Mitrovicë në janar 2018.

“Sot nuk jam dhe aq i sigurt”, shpjegoi dëshmitari.

Partia Liri, Demokraci, Drejtësi e Ivanoviqit ishte në opozitë me partinë kryesore serbe të Kosovës të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, dhe ai kishte paralajmëruar disa herë para se të vritej se ai dhe familja e tij kishin marrë kërcënime.

Dëshmitarja e parë këtë javë, Ksenja Bozoviq, e cila ishte nënkryetare e partisë së Ivanoviqit, refuzoi të martën t’i tregonte gjykatës emrat e grupeve të organizuara kriminale për të cilat politikani i vrarë e kishte paralajmëruar atë përpara vrasjes së tij.

Mahmut Halimi, avokati i njërit prej të pandehurve, Marko Rosiq, tha për mediat pas seancës se dy dëshmitarët që janë dëgjuar deri më tani kanë dëshmuar “presionin dhe kanosjen që po përjetojnë dëshmitarët e këtij rasti”.

Katër nga të pandehurit në gjyq – Marko Rosiq, Silvana Arsoviq, Rade Basara dhe Nedeljko Spasojeviq – akuzohen si anëtarë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale që vrau Ivanoviqin.

Dy oficerë policie, Dragisha Markoviq dhe Zarko Jovanoviq, janë gjithashtu në gjyq, të akuzuar për manipulim të provave në këtë rast. Të gjithë të pandehurit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Biznesmenët serbë të Kosovës Milan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq janë akuzuar si udhëheqës të grupit të organizuar kriminal që vrau Ivanoviqin.

Radoiçiq, i cili është gjithashtu nënkryetar i partisë kryesore politike serbe të Kosovës të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe, shihet gjerësisht si mbajtësi i vërtetë i pushtetit në Kosovën veriore me shumicë serbe. Ai ka mohuar përfshirjen në vrasjen e Ivanoviqit.

Dikur i konsideruar si një nacionalist ekstrem, Ivanoviq ishte shndërruar në një politikan të moderuar që mbronte bashkëjetesën mes pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës shqiptare.

Ai gjithashtu ishte bërë gjithnjë e më i zëshëm në kritikat e tij ndaj qeverisë së Beogradit.

Në kohën e vdekjes së tij, ai po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ai ishte vetëdeklaruar i pafajshëm.