Ndryshohet pëlqimi mjedisor për festivalin ‘Sunny Hill’

Grupi “Qytetarët Aktivë” ka njoftuar se Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim ka anuluar pëlqimin për mbajtjen e festivalit “Sunny Hill” në Gërmi, por nga Komuna e Prishtinës thonë se kjo nuk nënkupton anulimin e aktivitetit.

Në ankesën e “Qytetarëve Aktivë” ishte thënë se Sunny Hill “nuk ka leje/pëlqim për ndërhyrjet dhe punët brenda zonës së mbrojtur të Gërmisë siç e përcakton neni 128 paragrafi 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës”.

“Drejtoria për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim sot me datën 28.07 ka anuluar pëlqimin për mbajtjen e festivalit Sunnyhill në Peizazhin e Gërmisë. Qytetarët Aktivë kanë adresuar ankesën tek Drejtoria e Inspektimit në KK Prishtina dhe Departamenti për Inspektim për Mjedis në MMPHI për veprim urgjent të ndalohen të gjitha veprimet nga ky festival i cili nuk ka as pëlqim nga Drejtoria e Parqeve dhe as leje adekuate dhe të respektohet ligji për mbrojtjen e Natyrës dhe Mjedisit”, thuhet në postimin e tyre të publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Në vendimin e publikuar nga ky grup thuhet: “Bazuar në nenin 53 pika 1 të Ligjit nr. 05/L-031 bëhet revokimi i pëlqimit nr. 07-353-/04-146960/22, me qëllim që lënda të trajtohet dhe plotësohet në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës nr. 03/L-233, si dhe rëndësisë kulturore të Festivalit Sunny Hill”.

Udhëheqës i sektorit për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, Habib Qorri për KALLXO.com ka thënë se nuk është anuluar mbajtja e aktivitetit në parkun e Gërmisë, por “vetëm është ndryshuar pëlqimi”.

“Festivali nuk është anuluar, është ndryshuar pëlqimi në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës. Asgjë nuk ka ndryshu, aktiviteti mbahet sepse nuk është duke dëmtuar asgjë, pra nuk ka bazë për t’u anuluar aktiviteti. Drejtoria e Parqeve i ka mbikëqyrë punimet me Hortikulturën, sepse Hortikultura në fakt është e autorizuar që ti mbikëqyrë punimet për drunjt dhe të tjera. Aktiviteti pra nuk anulohet në asnjë formë”, ka thënë Qorri.

Festivalit Sunny Hill ishte planifikuar fillimisht që t’i jepej një tokë 17 hektarësh në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim deri në 99 vite. Por, pas shumë polemikash mes nivelit qendror dhe atij lokal, u vendos që të mbahet në parkun e Gërmisë sikurse herave të tjera.

Organizata joqeveritare Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve dhe ambientalistë kanë kritikuar vendimin për mbajtjen e festivalit të muzikës ‘ Sunny Hill’ në parkun Gërmia, në Prishtinë.