Ndryshohen shkallët tatimore për të ardhurat në Kosovë
Institucioni i vjeljes së tatimeve në Kosovë, Administrata Tatimore e Kosovës [ATK] njofton se me datën 23.08.2024 në Gazetën Zyrtare është publikuar Ligji Nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore i cili zbatohet nga po ajo datë
Sipas ATK-së, në neni 5 të këtij ligji ndryshohen shkallët e tatimit në të ardhura.
“Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 08/L-142, me nenin 5 ndryshohen shkallët tatimore të cilat janë të përcaktuara në nenin 6 të Ligjit Nr. 05/L-028 për Tatim në të Ardhurat Personale.” – thuhet në njoftimin e ATK-së.
Tutje bëhet e ditur se me këtë ndryshim, dhe në neni 6 për shkallët e tatimit, tatimi në të ardhura personale vjetore, ngarkohet sipas shkallëve në vijim:
Për të ardhurat e tatueshme deri në tremijë euro (3.000 €), duke përfshirë edhe shumën tremijë euro (3.000 €), zero për qind tatim (0%);
Për të ardhurat e tatueshme mbi tremijë euro (3.000 €), deri në pesëmijë e katërqind (5.400 €), duke përfshirë edhe shumën pesëmijë e katërqind (5,400 €), tetë për qind (8%) të shumës mbi tremijë euro (3.000 €); dhe
Për të ardhurat e tatueshme mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €), njëqind e nëntëdhjetë e dy euro (192 €) plus dhjetë për qind (10%) të shumës mbi pesëmijë e katërqind (5,400 €).
Për më shumë, ATK ka publikuar tabelën e mëposhtme.
Administrata Tatimore e Kosovës tregon se më apo para datës 01.09.2024 do të publikoj versionin e ri të sistemit elektronik EDI, përmes të cilit do të deklarohen dhe paguhen: Tatimi në Paga, Kontributet Pensionale dhe tatimet tjera nga personat fizikë afarist dhe jo-afarist, sipas shkallëve të reja tatimore.
Në anën tjetër ministri i Financave Punës, dhe Transfereve [MFPT], Hekuran Murati, nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se pas një dekade është rritur paga minimale.
“Me hyrjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, përfundimisht hapet rruga që edhe zyrtarisht të rritet paga minimale pas më shumë se një dekade. Një ndryshim tjetër me rëndësi, dhe njëkohësisht edhe përmbushje e njërit nga premtimet tona, është që paga minimale do të jetë e liruar nga tatimi.”-thotë ai
Sipas ministrit Murati, me ndryshimin e shkallëve tatimore, vlera e pagës që lirohet nga tatimi rritet në 250 euro (nga 80 sa ishte).
Sipas tij, të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi.