Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje, Çitaku: Është shantazh dhe bullizëm politik

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku nëpërmjet një statusi në Facebook ka reaguar ndaj tentimeve për votimin e ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet pa debat parlamentar.

Çitaku është shprehur se nuk po e konteston përmbajtjen e ligjit, por mënyrën se si po ndodh kjo.

Ajo ka thënë se metoda është neveritëse, sepse po bëhet pa konsultime me opozitën e shoqërinë civile.

Çitaku thotë se ky është shantazh dhe bullizëm politik.

Ky është postimi i saj:

Ligji për Zgjedhjet është instrumenti më i rëndësishëm për mirëmbajtjen e demokracisë në Kosovë. Pra, pikërisht këtë demokraci në të cilën një parti opozitare fiton në mënyrë të pakontestuar 50% të votave.

Nuk po e kontestoj e as diskutoj përmbajtjen e ligjit. Por, po më neverit metoda e përdorur. Pa debat dhe pa asnjë konsultim, as me opozitën e as me shoqërinë civile.
Kjo nuk është demokraci. Ky është shantazh dhe bullizëm politik./RTK