Ndryshimet që i kishte kërkuar MAPL të bëheshin nga kryetari Rama për festivalin 'Sunny Hill' (DOKUMENT)

Anulimi i mbajtjes së festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë ka nxitur reagime e institucionet po ia hedhin fajin njëra tjetrës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se deri të anulimi ka ardhur “nga zvarritjet e Qeverisë”, dhe sipas tij, ekzekutivi ka tentuar të “ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asamblistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës”.

Më 10 maj, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte votuar që kompanisë “Sunny Hill” t’i jepet prona 17-hektarëshe në Bërnicë të Poshtme në shfrytëzim për 99 vite.

Vendimi i dërgohej Ministrisë së Pushtetit Lokal për vlerësim të ligjshmërisë. Në rastet kur Komuna dërgon çfarëdo vendimi për vlerësim, Ministria ka afat vetëm një muaj që të kthej përgjigje në të kundërtën hynë në fuqi vendimi komunal.

KALLXO.com ka siguruar shkresën që ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi i ka dërguar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama katër ditë më parë, më 10 qershor.

Ministri kishte kërkuar që të bëhen disa ndryshime.

Ministria kishin kërkuar që të ndryshohet kohëzgjatja e dhënies së pronës komunale në shfrytëzim, përdorimi i përbashkët jashtë kalendarit të festivalit me Komunës e Prishtinës dhe të përfshihet mundësia e shfrytëzimit që parcela të mund të shfrytëzohet edhe nga festivalet e tjera.

Në momentin kur këto çështje përfshihen, ministri i thotë kryetarit Rama që ndryshimet t’i nënshtrohen sërish për aprovim Kuvendit Komunal, e pastaj të shkojnë në MAPL për vlerësimin e ligjshmërisë.

“Bazuar në frymën e diskutimit të sotëm dhe pajtimit të përgjithshëm që procesi i dhënies së pronës komunale për festivalin është e rëndësishme pikërisht për faktin që kjo vendos Kosovën në hartën botërore të kulturës dhe artit, jemi të interesuar që të kujdesmi që ky proces të jetë proceduralisht në rregull dhe të zhvillohet mbi parimin e përgjegjësisë institucionale”, thuhet në shkresën e ministrit të MAPL-së.

“Jemi të gatshëm që me përkushtim maksimal t’ju ndihmojmë që ky proces të jetë në rregull dhe t’i eliminojë çdo dilemë të ngritur”, shtoi ai.

KALLXO.com raportoi sot se festivali “Sunnyhill” nuk do të mbahet në Prishtinë, por është zhvendosur për në Tiranë. Në kryeqytetin shqiptar, festivali do të mbahet më datat e parashikuara nga fillimi, 4-7 gusht.

Në anën tjetër, themeluesi dhe organizatori i “SunnyHill”, Dukagjin Lipa e ka publikuar letrën qe ia ka dërguar institucioneve kosovare. Lipa kishte shprehur keqardhjen se për shkak “të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin, nga ana e MAPL, edicioni i këtij viti i festivalit Sunny Hill nuk do të mund të mbahet në Prishtinë”.

Reagime pati edhe nga kryetari Përparim Rama tha se dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.

“Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën”, ka shkruar Rama.

Ndërkaq, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal u deklarua duke thënë se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë por që ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë nga Komuna e Prishtinës.

E i lumtur nga ky vendim u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama për faktin që festivali do të mbahet në Tiranë. “Ska si Tirona, jo”, tha Rama.