Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndryshimet në Ligjin i ri për zgjedhjet, largohet heshtja zgjedhore 24 orëshe

Në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahen më 09.02.2025 në Kosovë, procesi i votimit si brenda dhe jashtë vendit pritet të ketë disa ndryshime.

Një nga ndryshimet, do të jetë edhe largimi i heshtjes zgjedhore që me ligjin e vjetër ka filluar 24 orë para hapjes së Qendrave të Votimit.

Ndërsa me Ligjin e ri sipas nenit 37, “heshtja zgjedhore fillon” nga hapja e Qendrave të Votimit në ora 07:00, e deri në mbylljen e tyre në ora 19:00.

“Nga hapja e Qendrave të Votimit për votim, e deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike, mbështetësve ose kandidatëve të tyre, u ndalohet secili prej veprimeve si më poshtë: 1. shpërndarja ose shfaqja në mënyrë tjetër në ndonjërën nga Qendrat e Votimit, dhe oborri i së njëjtës, e çfarëdo lloj materiali me qëllim ndikimi te votuesit; .2. bërja e fushatës në çfarëdo mënyre”- thuhet në Ligjin e ri për zgjedhjet.

Përveç kësaj, votuesit kësaj radhe mund të votojnë një numër më të lartë të kandidatëve për deputetë nga një parti e caktuar.

Sipas Ligjit, votuesi pajiset më një fletëvotim të vetëm për zgjedhje dhe në të shënjon: votën për një subjekt politik dhe votën për 1 deri në dhjetë 10 kandidatë nga lista e subjektit politik për të cilin ka votuar votuesi.

Në të kaluarën qytetarët e kanë pasur mundësinë të votojnë 1 deri në 5 kandidatë.

Ndërsa ndryshime do të ketë edhe për shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, pasi ligji i ri shton edhe dy alternativa tjera të votimit nga diaspora, përveç dërgimit të fletëvotimeve me postë në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Mërgimtarët në zgjedhjet 9 shkurtit do të mund të votojnë fizikisht në përfaqësi diplomatike dhe duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura në përfaqësitë diplomatike.

Megjithatë, për të zgjedhur njërën nga këto mënyra të votimit, mërgimtarët do të duhet të regjistrohen si votues në platformën online të KQZ-së.

Për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, në diasporë do të votohet një ditë më përpara, më 8 shkurt 2025.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë është miratuar në Kuvend më 08.06.2023.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë përcakton rregullat e organizimit të sistemit zgjedhor, duke përfshirë rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Lista preliminare e miratuar në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, përmban: 2,047,148 votues, shtetas të Kosovës.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt 2025 është 209,878, u njoftua në mbledhje.

Ministria e Jashtme i kundërpërgjigjet akuzave të anëtarëve të KQZ-së për votimin nga jashtë