Ilustrim

Ndryshimet në kurrikulën shkollore në Siri nxisin reagime

Qeveria e re e Sirisë po përballet me reagime pasi bëri të ditur ndryshimet në kurrikulën shkollore, përfshirë futjen e asaj që kritikët thonë se është prirje islamike në mësimdhënie, ka raportuar më 03.01.2025 televizioni amerikan, CNN.

Ndryshimet, të publikuara në një listë në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit në Facebook, përfshijnë ndryshimin e frazave “rruga drejt së mirës” në “rrugën islamike”, dhe “ata që janë mallkuar dhe kanë humbur udhën”, duke iu referuar “hebrenjve dhe të krishterëve” – që është një interpretim ultra-konservator i një ajeti të librit të shenjtë islamik, Kuranit.

Kuptimi i ri i “martirit”

Modifikimet kanë ridefinuar edhe shprehjen “martir”, prej kuptimit që kishte për dikë që kishte vdekur për atdheun në fjalë për qikdë që ka sakrifikuar veten “për hir të Zotit”.

Disa kapituj janë hequr krejtësisht, tregon lista, përfshirë një kapitull për “prejardhjet dhe evolucionin e jetës”.

Ende nuk është e qartë nëse ndryshimet kanë nisur të zbatohen, por do të zbatohen për të gjithë nxënësit nga gjashtë deri në tetëmbëdhjetë vjeç.

Përderisa heqje e disa ndryshimeve nga regjimi i ish-presidentit Bashar al-Assad, ishin mirëpritur për ata që kanë reaguar online, modifikimet e kapitullit fetar shkaktuan zemërim në mediat sociale.

Ministria e re ka marrë muajin e kaluar detyrën pasi Assadi u rrëzua nga kryengritësit e prirë prej “Hayat Tahrir Al-Sham” (HTS), një grup që doli prej kryengritësve të lidhur me “Al-Qaedan”. Prijësi i saj, Ahmed al-Sharaa, është munduar javëve të fundit të distanconte HTS-në nga “Al-Qaeda”, duke u zotuar se do të ketë një qeveri të etur për tolerancë dhe gjithëpërfshirje.

Për dhe kundër ndryshimeve

Para se të rrëzohej, Assadi kishte prirë Partisë Bathe, parti shekullare nacionaliste që kishte qenë në krye të pushtetit në Siri prej grusht shtetit të vitit 1963.

Disa përdorues të mediave sociale kanë vënë në dyshim se pse një qeveri e përkohshme po bën ndryshime në kurrikulë, derisa të tjerë kanë hedhur poshtë ato që i kanë quajtur përpjekje për të “shlyer” pjesë të historisë së vendit.

“Qeveria aktuale është qeveri kudjestare që nuk e ka të drejtën për t’i bërë këto ndryshime në kurrikulë”, ka komentuar një përdorues në faqen e Ministrisë së Arsimit në Facebook. “Kurrikula duhet të ndryshohet në pajtim me kushtetutën e re”.

Të tjerët kanë kritikuar çfarë e kanë parë si prirje islamike në aspektin gjuhësor.

Pas reagme të ashpra, Ministria e Arsimit është munduar t’i hidhte poshtë ndryshimet, duke theksuar se :kurrikula në të gjitha shkollat në mbarë Sirinë mbetet e pandryshuar derisa komisionet e specializuara të formohen për t’i rishikuar dhe hartuar”.

Në një deklaratë të lëshuar në emër të ministrit të Arsimit, Nazir Mohammad al-Qadri, thuhet se Ministria “vetëm ka instruktuar heqjen e përmbajtjes që lavdëronte regjimin e rrëzuar të Assadit dhe ka zëvendësuar imazhet e flamurit të regjimit me ato të flamurit të revolucionit sirian në të gjitha tekstet shkollore”.

“Pasaktësitë” fetare

Ministria ka bërë të ditur se vetëm është përpjekur të korrektonte disa “pasaktësi” që ishin të përfshira gjatë regjimit të Assadit në kurrikulën arsimore islamike, “si keqinterpretimi i disa ajeteve kuranore”.

Ministri i ri i Arsimit kishte thënë më parë se kurrikula arsimore e Sirisë nuk do të ndryshojë përtej heqjes së referencave të ish-Partisë sunduese Bathe.

Në një intervistë për Reutersin muajin e kaluar, Al-Qadri ka thënë se edhe religjioni islamik, edhe ai katolik, do të vazhdojnë të mësohen si lëndë në shkollë, dhe se shkollat fillore do të mbesin të përziera me djem e vajza. Shkollimi i mesëm do të mbetet kryesisht i ndarë, kishte deklaruar për Reutersin, sikur se ishin në kohën e Assadit.

Kabineti i prirë prej HTS-së mendohet të jetë qeveri e përkohshme derisa vendi t’i mbajë zgjedhjet, lideri de fakto i së cilës, Al-Sharaa, ka thënë se mund të marrë deri në katër vjet për t’u organizuar.

Mbetet e paqartë sesi qeveri teknike do ta dorëzojë pushtetin pasi më parë kishte thënë se do të qëndronte në detyrë vetëm deri në marsin e vitit 2025.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com