Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndryshimet në Kodin e procedurës penale, suspendime për zyrtarët që ndiqen për korrupsion

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka thënë sot gjatë një konference për media se Ministria që ia drejton ka finalizuar ndryshimet në Kodin e procedurës penale.

Sipas ministrit Selimi, Kodi i ri i procedurës penale parasheh masa të ashpra për luftimin e korrupsionit dhe gjykimin e kriminelëve të luftës, si dhe do të lehtësojë konfiskimin pasurisë së paligjshme.

Sipas ministrit Selimi, zyrtarët e lartë që akuzohen për vepra korruptive, vjedhje të shtetit dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare do të suspendohen nga puna.

Sipas tij, Kodi i ri parash tri çështje me rëndësi, për luftimin e korrupsionit, gjykimin e kriminelëve të luftës dhe mbajtjen e seancave gjyqësore virtuale.

“Çështja e parë ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit. Kemi bërë dy intervenime shumë të rëndësishme,. E para është se për herë të parë kanë hy nenet që kanë të bëjnë me suspendimin e zyrtarëve të lartë që ndiqen për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pra, me këtë kod të ri të procedurës penale, zyrtarit në kohën kur t’i ngritet aktakuza do të suspendohet menjëherë. Pra ky intervenim është i rëndësishëm pasi çdo herë që diku është duke e vjedhë shteti, t`u e keqpërdor detyrën zyrtare për përfitime dhe favore do të suspendohet menjëherë. Ne e kuptojmë parimin e prezumimit të pafajësisë, por ka qenë e domosdoshme që t’i shtrëngojmë masat e luftës kundër korrupsionit”, ka thënë ministri Selimi.

Po ashtu sipas tij, me rëndësi është edhe intervenimi tjetër që ka të bëjë me çështjen e konfiskimit të pasurisë së përfituar me vepër penale.

“Ne i kemi harmonizuar dispozitat e procedurës penale me ligjin e ri për kompetencat për konfiskimin e pasurisë dhe tash e kemi më të fortë intervenimin e institucioneve në konfiskim të çdo pasurie që është marrë me hajni, me korrupsion, me vepër penale. Këto janë dy intervenime që kanë të bëjmë me luftën kundër korrupsionit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kodi i ri parash edhe nene të cilat mundësojnë ndjekjen dhe gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës.

“Në kemi pasur disa pengesa të cilat më herët kanë qenë teknike, por që i kemi përmirësuar dhe gjithashtu kemi bërë zhvillimin e këtyre dispozitave që kanë të bëjnë me gjithë ata kriminelë që ecin të lirë në Serbi, e që ne i dimë dhe që kanë kryer krime të luftës, që tash do të ndiqen dhe gjykohen në mungesë. Këto dispozita po ashtu kanë të bëjnë edhe me vepra tjera për persona që kanë kryer vepra penale”, ka potencuar ai.

Kodi i ri, sipas Selimit rregullon edhe çështjen e mbajtjes së seancave gjyqësore virtuale.

Çështje tjetër me rëndësi në Kodin e ri të procedurës penale, ministri Selimi ka thënë se janë edhe nenet që parashohin mbajtjen e seancave virtuale, duke patur parasysh situatën dhe problemet që ka pësuar gjyqësori për shkak të COVID-19.

“Nga përvoja dhe problemet që ka shkaktuar COVID-19, në mbajtjen e seancave, së bashku me SHBA kemi bërë dispozita të cilat e parashohin apo e rregullojnë çështjen e gjykimit elektronik, pra çështjen e gjykimit me sesione të seancave gjyqësore virtuale”, ka thënë ministri i Drejtësisë Selim Selimi, gjatë konferencës së sotme për shtyp.

Ai ka potencuar se një ndihmë me rëndësi në hartimin e Kodit të ri të procedurës penale ka dhënë SHBA.