Ndryshime të drejtuesve të burgjeve në Kosovë

Shërbimi Korrektues i Kosovës disa herë është përballur me ndryshme të cilat preknin drejtuesit e burgjeve, ku janë duke vuajtur dënimin shumë të dënuar për vepra të ndryshme penale.

SHKK thotë se ndryshimet të cilat kanë ndodhur javët e fundit janë reformë për ngritje të efikasitetit në institucionet korrektuese.

Në disa përgjigje për KALLXO.com, SHKK ka theksuar se është bërë rotacion i përkohshëm për drejtorët e burgjeve.

“Ky rotacion i drejtorëve është bërë pasi që të njëjtit ushtrojnë detyrat e punës prej rreth 10 vite në të njëjtat institucione”, thuhet në përgjigjet e SHKK për KALLXO.com.

KALLXO.com pati raportuar se me largimin nga pozita të ish drejtorit të SHKK-së, Rasim Selmani, në pozitën e tij tashmë është vendosur Ali Gashi.

Selmani është kthyer sërish në pozitën e Drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë. Në këtë burg vuajnë dënimin personat me rrezikshmërinë më të lartë.

Zyrafete Imeraj është emëruar si zëvendësuese e Drejtorit të Qendrës Korrektuese në Dubravë.

Xhevdet Maqestena i cili ka drejtuar Burgun e Smrekonicës është transferuar si drejtues në Burgun e Gjilanit.

Burim Buleshkaj i cili ka qenë drejtues i Burgut të Sigurisë së Lartë është transferuar në pozitën e Udhëheqësit për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë.

Dashnim Osmani është kthyer në pozitën e zëvendësdrejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, ndërsa Isuf Ibërdemaj në qendrën korrektuese në Lipjan.

Heset Loku më herët ka qenë Drejtor në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, ndërsa tani është transferuar në Prizren.

Arif Beqa më herët ka qenë drejtor në Qendrën e paraburgimit në Lipjan, ndërsa tani është transferuar në Pejë.

Shefik sylejmani i cili ka qenë drejtor i burgut të Lipjanit është transferuar në Smrekonicë.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për ndryshimet që kanë ndodhur në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

 

Dy muaj pas emërimit si zv/drejtor i burgjeve, MD largon nga kjo pozitë Rasim Selmanin