Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndryshime në Postën e Kosovës, pas mbledhjes së djeshme të bordit, largohet zv/kryeshefi

Zëvendës kryeshefi i Postës së Kosovës, Etrit Hoti është larguar nga kjo pozitë në Postën e Kosovës.

Ky vendim erdhi pas mbledhjes së djeshme të bordit të drejtorëve të Postës.

Hoti ka thënë se punën si Ushtrues të Detyrës së zëvendës kryeshefit e ka kryer për nëntë muaj.

“Nga sot pas nëntë muajve jam liruar nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së zëvendës kryeshefit të Postës së Kosovës. Përkushtimi, dinjiteti dhe nderi kanë qenë dhe janë parimet e mia udhëheqëse, prandaj ndihem krenar që edhe këtë detyrë e përfundova të tillë”, ka thënë Hoti.

Ai shtoi se do të vazhdoj të angazhohet për rimëkëmbjen e Postës së Kosovës dhe për të drejtat e punëtorëve.

Përveç Hotit nga pozita është larguar edhe Faton Ejupi i cili ishte Ushtrues i Detyrës së sekretarit në Postën e Kosovës.

Këto ndryshime në postë erdhën pas mbledhjes së bordit të drejtorëve të Postës ndërsa siç mëson KALLXO.com në këtë mbledhje është diskutuar edhe për raportin e brendshëm të avancimit të 111 punëtorëve të Postës, që nga dhjetori 2020 deri në qershor 2021.

KALLXO.com publikoi hulumtimin për avancimin e 111 punëtorëve të postës për të cilët kryesuesja e bordit të Postës Safije Beseni kishte thënë se janë bërë në kundërshtim me vendimin e vitit të kaluar të Qeverisë së Kosovës për ndërmarrjet publike.

Impakti i hulumtimit të KALLXO.com: 111 punëtorë të Postës preken nga rekomandimi i Bordit për anulim të avancimeve