Ilustrim - Logot e partive politike kosovare

Ndryshim 'drastik' i forcave politike në Kuvend

Shtatë legjislatura janë ndryshuar që nga viti 2001 e deri më tani në Kosovë. Ndër këto vite, edhe përfaqësimi i deputetëve të partive politike dhe fuqia e tyre ka ndryshuar në Kuvendin e Kosovës.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka paraqitur një infografikë, e cila tregon numrin e deputetëve nga secila parti gjatë shtatë palë zgjedhjeve në Kosovë, përfshirë edhe ato të 6 tetorit.

Sipas kësaj infografike, partitë LDK, PDK dhe AAK kanë qenë tri partitë që janë pjesë e Kuvendit që nga viti 2001 dhe numri i deputetëve të tyre ka ndryshuar deri këtë vit.

Në anën tjetër, partia e parë e zgjedhjeve të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë pjesë e Kuvendit në katër legjislatura. Kurse AKR e Behgjet Pacollit në tri legjislatura. Njëherë e vetme dhe dy të tjerat me koalicione parazgjedhore.

Fat të njejtë kishte edhe partia e Fatmir Limajt, e cila ka qenë pjesë Kuvendit që nga viti 2014 deri më tani.

Ulëset e LDK-së ndër vite

Në vitin 2001, sipas KDI-së Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila doli partia e dytë në zgjedhjet e fundit ka pasur plotë 47 ulëse në Kuvend, njësoj sikurse në vitin 2004.

Megjithatë në zgjdhjet parlamentare të vitit 2007, LDK në Kuvend u përfaqësua nga 25 deputetë, kurse në vitin 2010 me 27 deputetë.

Në vitin 2014, LDK rriti numrin e deputetëve në 30, por gjatë zgjedhjeve të fundit të vitit 2017 dhe 2019 e uli përfaqëimin në Kuvend nën 30. Në vitin 2017, LDK kishte lidhur koalicion parazgjedhor me AKR-në dhe kishte 23 ulëse në Kuvend, kurse në zgjedhjet e 6 tetorit të këtij viti fitoi 28 ulëse.

Ulëset e PDK-së në Kuvend nga 2001 deri më tani

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, njësoj si LDK ka qenë pjesë e Kuvendit qysh nga viti 2001.

Kjo parti ndër vite sikurse partitë e tjera ka pasur një ndryshim të madh në numrin e ulësve të fituara.

Në legjislaturën e parë sipas infografikës së KDI-së, PDK fitoi 26 ulëse kurse 30 i fitoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004.

Në zgjedhjet e vitit 2007, Partia Demokratike e Kosovës që atë kohë në krye ishte presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaci kishte 37 deputetë në Kuvend me të cilët përfaqësohej.

Kurse, në vitin 2010 PDK-ja kishte rënë në minus 3 deputetë, në 34, por e arriti numrin e deputetëve në 37 përsëri në zgjedhjet e vitit 2014.

PDK në koalicion me AAK dhe Nisma-në në vitin 2017 kishte 23 deputëtë, kurse në zgjedhjet e 6 tetorit që për herë të parë u bë pjesë e opozitës, që ka fituar 24 ulëse në Kuvend.

Sa ulëse kishte AAK-ja në Kuvend që nga viti 2001?

Që nga viti 2001 kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare të Kuvendit të Kosovës, partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë pjesë e Parlamentit.

Megjithatë, sipas infografikës ndër këto vite kjo parti asnëjherë nuk e ka kaluar numrin e deputetëve mbi 20.

Në vitin 2001, AAK kishte 8 ulëse, në 2004, 9 ulëse në zgjedhjet e 2007, 10 ulëse dhe në vitin 2010, 12 ulëse.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, AAK-ja mori 11 ulëse, ndërsa në vitin 2017, ku ishte në koalicion me PDK dhe Nismën përfaqësohej në Kuvend me 10 deputetë.

Pak më shumë deputetë, AAK-ja ka fituar nga zgjedhjet e 6 tetorit të këtij vitit, ku ka 13 deputetë në Kuvend.

Deputetët e VV-së ndër vite

Edhe pse, Lëvizja Vetëvendosje ja nuk ka qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës që nga legjislatura e parë, kjo parti pati një rritje të madhe për katër vite.

Partia e cila në zgjedhjet e fundit mori më së shumti vota, për herë të parë në Kuvend u përfshi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 dhe mori 14 ulëse.

Përfaqësimi i VV-së në Kuvend vazhdoi të rritej edhe më tej. Kjo parti në vitin 2014 fitoi 16 ulëse.

Numrin më të madh të deputetëve VV-ja e fitoi në zgjedhjet e vitit 2017, ku përfaqësohej nga 32 deputetë.

Ndërsa këtë vit, në legjislaturën e shtatë Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 29 deputetë në Kuvend.

AKR-ja pjesë e Kuvendit vetëm 3 herë

Partia e Behgjet Pacollit, Aleanca Kosova e Re ka qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës vetëm në tri legjislatura.

Atë të vitit 207, ku kishte 13 ulëse, ndërsë në dy legjislatura të tjera ishte pjesë e Kuvendit falë koalicioneve me partitë e tjera.

Në vitin 2017, AKR kishte bërë koalicion me LDK-në dhe kishte 4 deputetë në Kuvend.

Ndërsa, në zgjedhjet e fundit të 6 tetorit kishte bërë koalicion me Nismën e Fatmir Limajt, nga e cila mori 2 ulëse në Kuvend.

Ulëset e Nismës në Kuvend

Partia Nisma Socialdemokrate që në krye të saj është Fatmir Limaj, ka qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës në tri legjislatura.

Në vitin 2014, kjo parti kishte hyrë për herë të parë në Kuvend dhe fitoi 6 ulëse.

Ndërsa, në vitin 2017 Nisma kishte bërë koalicion me PDK-në dhe AAK-në dhe i takuan po ashtu 6 deputetë.

Më vështirësi kjo parti këtë vit në zgjedhjet e 6 tetorit mori vetëm 4 deputetë, e cila kishte bërë koalicion parazgjedhor me AKR-në e Behgjet Pacollit.

Numrin e deputetëve për partitë e tjera mund ta shikoni në këtë infografikë:

 

Zgjedhjet e fundit në Kosovë u mbajtën me 6 tetor të këtij viti, ku deri tek kjo erdhi pas dorëheqjes së kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, pasi ai u ftua nga Gjykata Speciale.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për zgjedhjet e 6 tetorit, VV ka marrë 26.27 për qind të votave, LDK-ja 24.54 për qind, PDK-ja 21.23 për qind, AAK-PSD 11.51 për qind, Lista Serbe 6.40 për qind të votave dhe Nisma-AKR-PD ka siguruar 5.002 për qind të votave.

Ndërkaq, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit do të mbahet më 26 dhjetor.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, si dy partitë që morën më së shumti vota më 6 tetor, ende nuk kanë nënshkruar koalicionin për bashkëqeverisje, një kabinet qeveritar i të cilave do të duhet të prezantohet në Kuvend për votim.