Ndryshe nga Hoti, Mustafa thotë se Kosova ka nevojë për “institucione stabile”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur qëndrime të ndryshme nga nënkryetari i LDK-së dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Mustafa dhe Hoti janë deklaruar rreth stabilitetit të institucioneve të vendit, pas shpalljes se aktakuzave ndaj Thaçit e Veselit. Derisa i pari thotë se mungon një stabilitet politik, Hoti ka thënë se qeveria që drejton është stabile.

“Ne këto rrethana Kosova ka nevojë të sigurojë institucione stabile dhe të fuqishme, të mbështesë institucionet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, një drejtësie të pavarur dhe të pandikuar, sikurse edhe të mbështesë njerëzit e saj që ballafaqohen me drejtësinë deri në përfundimin e saj, sepse deri atëherë fajësia e tyre është vetëm e presypozuar”, deklaroi të shtunën mbrëma Isa Mustafa.

Madje, sipas tij, në ditët në vazhdim do të diskutohet me partitë që janë të interesuara për ta krijuar stabilitetin institucional.

“Në ditët në vijim do të bisedojmë me të gjithë që kanë gatishmëri, jo për të forcuar pushtetin individual apo partiak por, për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij”, tha Isa Mustafa.

Por, kështu nuk mendoi dje gjatë ditës Avdullah Hoti. Madje, ai u shpreh i bindur se institucionet janë stabile, kur u pyet për mundësinë e përfshirjes së PDK-së në ekzekutiv.

“Asnjëherë nuk përgjigjem në pyetje hipotetike. Qeveria është plotësisht stabile, Presidenti është me mandat të plotë. Nëse krijohen ato rrethana, do të ulemi dhe të gjejmë zgjidhjet më të mira për vendin”, tha Hoti para gazetareve gjatë një konferencë për media në Tiranë.

Avdullah Hoti nuk e përjashton mundësinë e hyrjes së PDK-së në Qeveri

www.kallxo.com