Ndriçimi i dobët në rrugën ‘Gustav Mayer’ në Prishtinë, komuna zotohet se do ta rregullojë - VIDEO

Banorët e rrugës “Gustav Mayer” në lagjen “Dodona” në Prishtinë më 05.08.2024 janë ankuar që ndriçimi publik në këtë rrugë është i dobët tash e nëntë muaj.

Banorët thonë që  ata janë ankuar në institucionet përgjegjëse, por nuk kanë marrë përgjigje.

“Ndriçim në rrugë këtu në ‘Gustav Mayer’ në qendër që nëntë muaj nuk kemi. Kam qenë në komunë, i kam thirrë në telefon, edhe inspekcionin nuk kanë kthyer përgjigje” – ka thënë për KALLXO.com, një banor në kushte anonimiteti.

Ekipi i KALLXO.com më 05.08.2024, rreth orës 21:00 ka parë nga afër gjendjen e ndriçimit në këtë rrugë.

Pamjet tregojnë se ndriçimi i rrugës është i dobët.

KALLXO.com ka kontaktuar me Komunën e Prishtinës më 06.08.2024.

Nga komuna thonë se nuk kanë qenë të informuar për problemin e ndriçimit në këtë rrugë dhe që me marrjen e informatës është njoftuar operatori për ta vlerësuar këtë problem.

Zëdhënësi i komunës, Donat Lushaku tha se ndriçimi do të rregullohet në një afat të shkurtër kohor.

“Me marrjen e informatës është njoftuar operatori, del e rregullon pjesën e rrugës…Do të rregullohet në afatin më të shkurtër” – theksoi ai.