Ilustrim

Ndonëse nuk janë grevistë, punonëtorët shëndetësorë nuk i morën pagat

Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë janë shprehur tejet të shqetësuar për mosekzekutimin e pagave për infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë të kujdesit parësor shëndetësor.

Sipas OIK, punonjësit mjekësor edhe pse nuk janë rankuar mirë në draft-ligjin e pagave kanë vendosur të jenë në shërbim të pacientëve dhe nuk janë bashkëngjitur në greva.

“Pa marrë parasysh këtë, anëtarëve të OIK të nivelit parësor shëndetësor nuk u janë ekzekutuar pagesat nga Qeveria e Kosovës. Ky veprim i Qeverisë ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha në komunitetin tonë, duke provokuar kështu edhe më shumë ikjen e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova, dhe duke rrezikuar potencialisht shërbime të tëra shëndetësore”, thuhet në reagim.

OIK ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më parë të ekzekutojë pagesat për profesionistët shëndetësorë të nivelit primar shëndetësor.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka treguar se është bërë ekzekutimi i pjesshëm i pagave të punonjësve publikë, por, sipas tij, jo të gjithë i kanë marrë rrogat.

Sipas ministrit kjo ka ndodhur për shkak të situatës së krijuar me grevat që kanë nisur më 25 gusht, pra për shkak të vonesave në procedimin e listave të atyre që kanë punuar dhe të atyre që nuk kanë punuar.

Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të jetë më intensive nga sot.

Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim – ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në vitin 2014 janë tri kërkesat e sindikalistëve.