Ndonëse me mandat të pezulluar, LDK-ja dhe aleatët e rinj drejt përfundimit të planit qeverisës

Ndonëse Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar mandatimin për formimin e qeverisë së Avdullah Hotit për kryeministër nga LDK-ja, kjo e fundit së bashku më partitë e tjera me të cilat nënshkroi koalicion, thotë se është në përfundim të planit qeverisës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi sot ka deklaruar se janë në fazën finale të përfundimit të planit qeverisës, përderisa njoftoi se janë duke e finaizuar edhe pakon ekonomike, për shkak të pandemisë.

“Jemi në fazën finale të përfundimit, besoj sot ose nesër përfundohet plani qeverisës dhe po ashtu jemi në përfundimin e pakos ekonomike e cila pritet të aprovohet në ditët e para të qeverisë së re”, tha ai.

Gashi shtoi se partnerët e mundshëm qeverisës janë të gatshëm të marrin përsipër këto çështje.

“Këto dy çështje jashtëzakonsisht të rëndësishme këto ditë përfundojnë dhe mendoj se partnerët e ardhshëm qeverisës, kryeministri Hoti është i gatshëm të marr përsipër trajtimin e këtyre problemeve dhe do të kemi një zgjidhje shumë të mirë si në aspektin ekonomik dhe zhvillimor”, shtoi shefi i deputetëve të LDK-së.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me 30 prill e kishte mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër të ardhshëm, vendim të cilin LVV-ja e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar edhe masë të parakohshme ndaj dekretit.

Kushtetuesja më pas e pezulloi dekretin në fjalë deri me 29 maj, përderisa pritet të vendos për kushtetueshmërinë e mandatimit të Hotit nga ana e Presidentit.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti me 25 mars nga mocioni i mosbesimit, LVV-ja si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, nuk kishte refuzuar por as dërguar ndonjë emër te presidenti për formimin e ekzekutivit të ri, duke kërkuar vetëm zgjedhje të reja pas pandemisë.

Kurse, Thaçi pas konsultimeve me partitë politike parlamentare, të cilat u shprehën kundër zgjedhjeve (Përveç LVV-së), në kohë të pandemisë, mandatoi LDK-në për qeverinë e re.