Pamje kur ATK kontrollon puntorët në qeveri për kontrat mbi vepër

Administrata Tatimore e Kosovës ka zhvilluar një kontroll të veçantë tatimor në një nga institucionet publike të shtetit.

Kontrolli i ATK-së, u zhvillua në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovë, e cila është në kuadër të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Kontrolli jo i zakontë i ATK-së në institucione publike kishte për cak verifikimin e njëzetë e dy kontratave mbi vepër të lidhura gjatë vitit 2019 nga kjo Agjenci.

Kontrollit i kishte paraprirë një informacion i dërguar në ATK nga Zyra Ligjore e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, në të cilin ishin shpërfaqur dyshimet për mos pagesë të tatimit në paga të punëtoreve nga ana e kësaj agjencie.

Për zbatimin e këtij kontrolli tatimor me urdhër të zëvendës drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, Nijazi Asllani u caktua një ekip i inspektorëve tatimorë.

Kontrolli u zhvillua sot, në të u kërkuan të dhënat e agjencisë, numri i punëtoreve me kontrata mbi vepër gjatë vitit 2019 dhe të gjitha kontratat e lidhura të Agjencisë me këta punëtorë.

Në këtë periudhë Kryeshef i Agjencisë së Arkivave të Kosovës ishte Ramë Manaj.

Gjatë verifikimit të kontratave inspektorëve u evidentua se institucioni kishte paraparë që punëtoret e angazhuar me kontrata mbi vepra të paguajnë vet kontributet dhe tatimin në të ardhura personale.

Sipas ligjit për tatim në të ardhura personale çdo punëdhënës është përgjegjës që të mbajë në burim tatimin nga pagat e paguara të punëtoreve të tij dhe se mos mbajtja e tatimit në burim ndëshkohet nga institucionet tatimore.

Mos mbajtja e tatimit në burim nga ana e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës është konstatuar fillimisht nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

ZKA-ja, në raportin për Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ia kishte bëre me dije këtij institucioni se mund të ndëshkohet si pasojë e mos mbajtjes së tatimit në burim.

Pas përfundimit të kontrollit tatimor, inspektorët morën dokumentacionet e nevojshme për t’i krahasuar më pas me të dhënat në sistemin e ATK-së, dhe për të hartuar raportin e veçantë të kontrollit në bazë të të cilit në rast të parregullsive, institucioni do të ndëshkohet.

Kontrolle për mos pagesë të kontributeve pensionale dhe tatimit në paga, Administrata Tatimore e Kosovës ka zhvilluar vazhdimisht në sektorin privat.

Gjatë muajve të kaluar janë zhvilluar dhjetëra aktivitete për punëtorë pa kontrata pune të cilët ankoheshin se kontributet pensionale nuk po u paguheshin nga ana e punëdhënësve.

Këto kontrolle të ATK-së, kishin konstatuar një numër të madh të parregullsive dhe për to bizneset ishin ndëshkuar.

ATK kontrolle për punëtorë pa kontrata