
FOTO: Përparim Rama/Facebook.
Ndizen qirinj në nderim të policit Afrim Bunjaku që u vra në Banjskë
Sonte në disa qytete të Kosovës janë ndezur qirinj në nderim të policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në Banjskë të Zveçanit nga grupi terrorist.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama njoftoi se edhe në komunën e Prishtinës janë ndezur qirinj.
“Në nderim të Afrim Bunjakut, policit të vrarë nga terroristët, derisa ishte në krye të detyrës, ndezëm qirinj para Stacionit policor në rrugën “Luan Haradinaj”. Lavdi veprës së policit tonë Afrim Bunjaku!”-ka shkruar Rama në Facebook.
Kreu i Komunës së Prishtinës, ka falenderuar Policinë e Kosovës për punën e tyre në ruatjen e rendit dhe ligjit.
“Faleminderit policisë e cila në mënyrë profesionale arriti të neutralizojë terroristët dhe po vazhdon të kujdeset që jo vetëm në Bajnskë të Zveçanit, por në gjithë territorin e Republikës të mbizotërojë rendi e ligji. Krenar me ju!”-ka përmbyllur Rama.
Policia e Kosovës aktualisht është duke kryer kontrolla në shtëpitë e zonës së Banjskës duke mbledhur prova nga vendi i ngjarjes.
Drejt Banjskës janë parë edhe mjetet e autobartjes të Policisë së Kosovës.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës. Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hyn edhe terrorizmi.
Raportimin e vazhdueshëm të KALLXO.com në lidhje me zhvillimet në veri mund t’i lexoni KËTU.