Ndizen flakadanët e lirisë në Prekaz

Në Prekaz të Skenderajt ka nisur Nata e Zjarreve, e cila është faza përmbyllëse e Epopesë së UÇK-së, që shënohet në nderim të betejës së 5, 6 dhe 7 marsit 1998 të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij kundër forcave serbe.

Sivjet është shënuar 25-vjetori i Epopesë së UÇK-së.

Në këtë manifestim kanë marrë pjesë qytetarë të shumtë.

Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com
Foto: KALLXO.com

Që nga viti 1991 deri më 1998, Drenica në përgjithësi e Prekazi në veçanti ishin të rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.

Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit serb.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, u ka marrë jetën 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit.

Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes 5 e 6 marsit të largohej nga rrethimi dhe t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin e atyre ditëve.