Ndikimi i pushtimit rus të Ukrainës në Evropë në vitin 2022

Më 24 shkurt 2022 bota u zgjua me fillimin e një lufte në Evropë dhe me pak ide për ndikimin që do të kishte në jetën e të gjithëve.

Nëse varësia nga energjia ruse do të ishte një fakt i njohur, pak do ta kishin kuptuar se Ukraina është njëra nga shportat e bukës në botë për prodhimin e saj bujqësor.

Sanksionet

Dënimi i invazionit ushtarak rus në Ukrainë nga shumica e liderëve botërorë u pasua nga lista sanksionesh kundër Moskës zyrtare.

Si kundërpërgjigjie, presidenti rus Vladimir Putin reduktoi në mënyrë drastike dërgimin e gazit në Evropë dhe në muajin gusht e mbylli gazsjellësin Nord Stream 1 në Gjermani.

Përpara pushtimit të Ukrainës, Rusia ishte furnizuesi kryesor i Gjermanisë, duke ofruar ekonominë më të madhe të Evropës me pak më pak se një të tretën e gazit të saj.

Udhëheqësit e shteteve dhe qeverive evropiane u përpoqën të ndërmerrnin masa të përbashkëta, por rezistenca ishte proporcionale me varësinë energjetike të Rusisë.

Ministrat u përpoqën të siguronin furnizime alternative, të vetëdijshëm se varësia e madhe nga gazi rus e kishte lënë të ekspozuar mjerisht shumicën e shteteve.

Çmimet e energjisë

Në gjysmën e parë të vitit 2022, çmimet mesatare të energjisë elektrike shtëpiake në BE u rritën ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, nga 22.0 euro për 100 kwëh në 25.3 euro për 100 këh. Çmimi mesatar i gazit gjithashtu u rrit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 nga 6.4 euro për 100 këh në 8.6 euro për 100 kwh në gjysmën e parë të 2022.

Krahasuar me një vit më parë, pesha e taksave në faturat përfundimtare të energjisë elektrike dhe gazit që u ngarkohen familjeve në BE në gjysmën e parë të vitit 2022 u ul ndjeshëm pasi Shtetet Anëtare vendosën për kompenzime dhe subvencione qeveritare për t’i zbutur kostot e larta të energjisë.

Në prag të dimrit, vendet e Bashkimit Evropian nuk qenë në gjendje t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet e tyre, ndërkohë që po përpiqen t’i mbrojnë në mënyrë efektive 450 milionë qytetarë nga rritjet masive të faturave të tyre të gazit natyror me fillimin e motit të ftohtë.

Shumica e takimeve urgjente treguan vetëm se si kriza energjetike e ndërlidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë e ka përçarë bllokun 27-anëtarësh në grupe pothuajse të papajtueshme.

Pas disa vonesave, ministrat e energjisë po përpiqen ta thyejnë një bllokim midis vendeve që kërkojnë gaz më të lirë për t’i lehtësuar faturat shtëpiake – duke përfshirë Greqinë, Spanjën, Belgjikën, Francën dhe Poloninë – dhe atyre si Gjermania dhe Holanda që po këmbëngulin se një tavan çmimi mund t’i shkurtojë furnizimet.

Gruri i Ukrainës

Ukraina është eksportuesi i pestë më i madh në botë i grurit, eksportuesi i katërt më i madh i misrit dhe eksportuesi kryesor i vajit dhe miellit të lulediellit, sipas Kombeve të Bashkuara.

Eksportet e drithërave të Ukrainës kanë rënë që nga muaji shkurt pasi lufta atje i mbylli portet e Detit të Zi të Ukrainës, duke i rritur çmimet globale të ushqimit dhe duke shkaktuar frikë nga mungesa në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Megjithatë, tri porte të Detit të Zi u zhbllokuan në fund të korrikut pas një marrëveshjeje të arritr midis Moskës dhe Kievit, të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.

Marrëveshja ishte caktuar të skadonte në fillim të nëntorit, por Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord ta zgjasin një marrëveshje shtesë për t’i lejuar eksportet e grurit nga portet ukrainase përmes një korridori të sigurt në Detin e Zi.

Këto masa të fundit ndihmojnë për ta kontrolluar rritjen e çmimeve të ushqimeve, mirëpo nuk mjaftojnë.

Eurozona

Norma vjetore e inflacionit të eurozonës është rritur në 10.7% dhe tejkalon 20% në tri shtetet baltike – Estoni, Letoni dhe Lituani.

Ekzekutivi i BE-së e ka rishikuar parashikimin e tij të inflacionit nga korriku, duke parashikuar se çmimet do të arrinin kulmin në fund të vitit dhe do të mbeten të larta në vitin 2023. Inflacioni do të jetë mesatarisht 9.3% në BE dhe 8.5% në eurozonë për vitin 2022, sipas Brukselit.

Në fund të tetorit, Banka Qendrore Evropiane njoftoi një tjetër rritje të normave të interesit dhe tha se rritje të mëtejshme do të pasonin për ta luftuar inflacionin në rritje, edhe pse presidentja e saj, Christine Lagarde, paralajmëroi se një recesion i eurozonës po afrohej. BQE është nën presion për ta frenuar inflacionin rekord të lartë, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe veçanërisht të energjisë në vazhdën e luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Protestat dhe grevat

Protestat dhe grevat shpërthyen në të gjithë Evropën për shkak të inflacionit në rritje dhe kriza e kostos së jetesës po shkon drejt një ‘dimri pakënaqësie’.

Me buxhetet familjare gjithnjë e më të shtrënguara, mijëra qytetarë evropianë kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër rritjes së kostos së jetesës dhe kërkojnë masa urgjente ekonomike nga qeveritë e vendeve të tyre dhe Bashkimi Evropian për ta luftuar rritjen e varfërisë.

Kërshëndellat 2022

E arritëm fundin e vitit në një klimë tensioni dhe shtrëngimi.

Me perspektivën e ndërprerjeve të energjisë dhe racionimit të energjisë, zyrtarët në qytetet, përfshirë Helsinkin, Lisbonën dhe Londrën,nuk i kanë ndezuar dritat për ndriçime dekorative në rrugët dhe sheshet kryesore, për t’i kursyer në faturat e energjisë./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala