Ndikimi i COVID-19, në vitin 2020 Kosova pati 51.9% më pak vizitorë të jashtëm se në vitin 2019

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Kosova ka pasur 51,95%  më pak vizitorë të jashtëm në vitin 2020 se në vitin 2019.

“Kemi ulje te vizitorët e jashtëm për 51.95%, kurse net-qëndrimet e vizitorëve të jashtëm janë ulur për 52.50% në raport me vitin 2019”, theksohet në njoftimin e ASK-së.

Në vitin 2020 numri i vizitorëve vendorë është zvogëluar për 38.77% në raport me vitin 2019, netë-qëndrimet e vizitorëve vendorë janë zvogëluar për 32.63%.

ASK njofton se në tremujorin e fundit të vitit 2020, qytetet më të vizituara në Kosovë kanë qenë Prishtina, Peja dhe Prizreni.

“Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, Pejë, e kështu me radhë”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Numrin më të madh të vizitorëve dhe të netë-qëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 20 mijë e 689 vizitorë dhe 38 mijë e 438 netë-qëndrime, Peja radhitet e dyta me 42 mijë e 521 vizitorë ndërsa Prizreni me 30 mijë 193 vizitorë.

Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh ishte nga Shqipëria, Zvicra, Gjermania, etj.

Në tremujorin e fundit të vitit 2020, numri i vizitorëve vendorë dhe të huaj ishte 51 mijë e 885, prej tyre 43.33% ishin vendorë dhe 56.67% ishin të jashtëm.

“Ndërsa, numri i netë-qëndrimeve ishte 89 mijë e 116, prej tyre 41.35% nga vendorët dhe 58.65% nga të huajt”, njofton ASK.

Rasti i parë me COVID-19 në Kosovë është regjistruar më 13 mars 2020 dhe që nga atëherë numri total i rasteve pozitive është 71,344 nga 319,338 persona të dyshimtë dhe 1,627 raste të vdekjes.

Në tremujorin e fundit të vitit 2020, sipas ASK-së, pjesë e anketës ishin 206 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës.

Raportin e plotë të ASK-së mund ta lexoni KËTU.