Ndihmohen me 50 sera bujqit në Mitrovicën e Jugut

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka njoftuar se ka ndarë sera për 50 fermerë.

Sipas njoftimit, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka nënshkruar kontratë me 50 fermerë, përfitues të serave të tipit ‘Tunel’ me sipërfaqe prej 50 metër katrorë.

Njoftimi thotë se fermerët sipas kontratës janë të obliguar që serën ta përdorin për kultivimin e perimeve në mënyrë që të rritet aftësia e konkurrencës në treg.

Ndërsa, drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku, sipas njoftimit ka thënë se prioritet i tij gjatë udhëheqjes së kësaj Drejtorie është realizimi i projekteve për zhvillimin e bujqësisë dhe lehtësimin e punës së fermerëve.

Në këtë vit fermerët do të ndihmohen me mekanizëm bujqësor, kredi bujqësore, fidane, bimë mjekësore aromatike, kompensime të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore si dhe transportin qumështit tek zonat e thella rurale.