Foto: ZPRK
Ndihmëssekretari i NATO-s pas takimit me Osmanin: Vendimet për Urën e Ibrit duhet të merren përmes dialogut
Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm të NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, ambasadori Boris Ruge ka theksuar qëndrimin e NATO-s se vendimet rreth ‘Urës së Ibrit’ duhet të merren përmes dialogut, në takim me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
“Për urën mbi Ibër, nënvizova pikëpamjen e NATO-s se vendimet duhet të vijnë përmes dialogut dhe në mënyrë të koordinuar” – ka shkruar Ruge krahas fotografisë me Presidenten.
#NATO is proud of having provided a safe&secure environment for all in #Kosovo for 25 yrs. Today with @VjosaOsmaniPRKS we took stock of what was achieved. On the bridge over the Ibar/Ibër, I underlined NATO’s view that decisions must come thru dialogue & in a coordinated manner. pic.twitter.com/QAONPdMuyv
— Boris Ruge (@RugeBoris) August 20, 2024
Presidentja Osmani ka njoftuar sot se në këtë takim, ajo ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Osmani më parë është shprehur totalisht kundër idesë së diskutimit të çështjes së urës në dialogun Kosovë-Serbi, por është shprehur e hapur për diskutim me ndërkombëtarët.
Ambasadori Ruge është shprehur krenar edhe për punën e NATO-s në këto 25 vjet.
“NATO është krenare që ka ofruar një mjedis të sigurt për të gjithë në Kosovë për 25 vjet. Sot me Vjosa Osmanin folëm rreth asaj që është arritur” – ka shkruar ai në rrjetin social X (ish-Twitter).
Me qëndrimet e tij është pajtuar edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili ka shtuar se stabiliteti i arritur nuk duhet të rrezikohet nga mungesa e dialogut apo nga veprimet e pakoordinuara.
Full support for all aspects @RugeBoris mentions.
🇩🇪 is doing its part in supporting @NATO_KFOR from its very beginning, contributing to safety + stability in 🇽🇰 & the entire region.
This stability achieved must not be put at risk through lack of dialogue or uncoordinated action https://t.co/MR35frlze2— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) August 20, 2024
Hapja e Urës së Ibrit po synohet nga Qeveria e Kosovës, mirëpo është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in, e cila insiston se kjo temë duhet të diskutohet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Presidentja Osmani ka kundërshtuar fuqishëm idenë e diskutimit të kësaj teme në dialog, sepse sipas saj kjo është antikushtetuese dhe kundër sovranitetit të Koosvës.
“Nuk kemi çka e pyesim Serbinë … Nuk ka çka pyetet Serbia për një urë që është brenda territorit të Kosovës”- ka thënë Osmani më 15.08.2024.
Bashkimi Europian ka planifikuar që ta vendosë “statusin” e Urës së Ibrit në agjendën e takimit të ardhshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi
Ndërkaq, Ambasadori i ShBA-ve, Jeffery Hovenier ka deklaruar më 13.08.2024 se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 14.08.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt “e aq më pak kundër partnerëve ndërkombëtarë” për çka edhe shtoi se janë duke vazhduar koordinimin për këtë çështje.
Ministria e Infrastrukturës në orët e mbrëmjes së 13.08.2024 ka publikuar raportin që thotë se Ura e Ibrit është mjaftueshëm stabile për qarkullimin e veturave – gjë që u hap rrugë autoriteteve kosovare që ta hapin urën, ashtu siç po mëtojnë javët e fundit.
Raporti është përpiluar nga kompania “IPE-PROING”, e cila ka bërë matjet dhe testimet me mauna mbi Urë, gjatë javës së kaluar.
Riaktualizimi i temës së hapjes të Urës së Ibrit u bë që nga 31.05.2024, kur asamblistët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar që të zbatohet një vendim i marrë vitin e kaluar për hapjen e Urës së Ibrit.
Vendimi për hapjen e urës është marrë në prill të vitit 2023, por nuk janë marrë asnjëherë hapa drejt zbatimit të tij.
Kjo urë ka një sërë historish për vite me radhë. Rivitalizimi 1.5 milionësh ishte përfunduar nga Bashkimi Europian më 2018.