Thomas Goffus dhe Vjosa Osmani

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dënoi sulmin kundër kanalit të "Ibër-Lepencit"

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Thomas Goffus, ka dënuar sulmin e kryer kundër kanalit të ujit të “Ibër-Lepencit”, i kryer të premten, më 29.11.2024, në veri të Kosovës.

“Në takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në selinë e NATO-s, Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm Thomas Goffus e dënoi sulmin  e të premtes në infrastrukturën kritike në Zubin-Potok” – ka shkruar zëdhënësja e NATO-s, Farah Dakhlallah.

“Të gjitha faktet duhet të vërtetohen përmes një hetimi transparent dhe të plotë. KFOR-i mbetet vigjilent. Koordinimi me KFOR-in është kyç për stabilitetin rajonal” – ka theksuar zëdhënësja në rrjetin social “X”.

Shpërthimi që ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit” në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si sulm terrorist.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se sulmi është kryer nga grupe terroriste.

“Unë nuk i kam emrat e atyre që e kanë vënë detonimin. Por, unë e di një gjë, se elemente të tilla kriminale, qofshin edhe zyrtarisht anëtarë të Mbrojtjes Civile, Brigadës Civile, ata e kanë mbështetjen dhe dirigjimin nga Beogradi zyrtar.”– kishte thënë Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka mohuar që Serbia ka lidhje me sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”.

Për sulmin në kanalin e Ibër- Lepencit, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, nga 15 deri në 20 kilogramë, i cili dyshohet se është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme.

“Si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’, si pasojë e të cilave është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për shumë zona dhe lokalitete si dhe duke rrezikuar tej mase edhe furnizimin me energji elektrike apo edhe rrezikun me pasoja më të rënda për avari në sitemin energjetik të Republikës së Kosovës”- është shprehur Hoxha.

Pas shpërthimit, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme më 30.11.2024, në ora 01:30h.

Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin ku ka ndodhur shpërthimi.

Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka dënuar po ashtu shpërthimin në Zubin Potok.