Takimi i Ndihmës-sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Boris Ruge me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ndihmës-sekretari i NATO-s takohet me Vuçiq: NATO shikon nga Serbia që të ndihmojë për përgjegjësinë e sulmeve të majit dhe shtatorit
Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Çështje të Jashtme dhe Siguri, ambasadori Boris Ruge ka takuar sot më 21.08.2024 presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimit, ambasadori Boris Ruge ka deklaruar se NATO kërkon nga Serbia që të ndihmojë për përgjegjësinë e sulmeve të majit dhe shtatorit të vitit 2023, që kishin ndodhur në veri të Kosovës.
Në maj të 2023 kishte protesta të dhunshme nga serbët në veri, në të cilat ishin lënduar disa ushtarë të KFOR-it, kurse në shtator të vitit 2023 kishte ndodhur sulmi terrorist në Banjskë, i udhëhequr nga ish zyrtari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq.
Përmes një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter), ambasadori Ruge ka bërë të ditur se është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Shkëmbim i mirë me Presidentin Vuçiq për marrëdhëniet e NATO-s me Serbinë, të cilat shpresojmë t’i shohim të thelluara. Ne diskutuam gjithashtu çështjet rajonale, duke përfshirë sigurinë e qëndrueshme në Kosovë. NATO shikon nga Serbia për të ndihmuar në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për aktet e dhunshme të majit dhe shtatorit 2023” – ka shkruar Ruge.
Good exchange with President @avucic on NATO #Serbia relations which we hope to see deepened. We also discussed regional issues, including lasting security in Kosovo. #NATO looks to Serbia to help ensure full accountability for the violent acts of May & September 2023. pic.twitter.com/Pkf096abxR
— Boris Ruge (@RugeBoris) August 21, 2024
Ai gjatë ditës së djeshme është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe ka theksuar qëndrimin e NATO-s rreth ‘Urës së Ibrit’, që sipas tij, vendimet duhet të merren përmes dialogut.