'Ndez një dritë për autizmin' sonte në ora 20:00

Sonte në ora 20:00 qytetarë nga Kosova pritet të ndezin drita të kaltra në shenjë të ndërgjegjësimit me personat me autizëm.

Kjo është një nismë e organizatës “AutizmiFlet Kosovë”, të cilët kanë njoftuar për shënimin e ditës botërore të autizmit përmes një njoftimi në Facebook, me moton “Ndriço botën time”.

Organizata ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në ballkonet e tyre ose në dritare dhe të ndriçojnë me ngjyrë të kaltër.  “Më 2 Prill në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Autizmit. Tash e disa ditë të gjithë jemi të izoluar, të mbyllur në shtëpi e në pamundësi të kryerjes së aktiviteteve të dëshiruara e të nevojshme nga ne. Kjo është një ditë e zakonshme për shumë persona me autizëm, ku jo rrallë herë të drejtat e tyre shkelen në shoqërinë tonë. Andaj, përveç tjerash, le të shërbejë kjo situatë edhe për të reflektuar mbi diskriminimin dhe padrejtësitë që iu bëhen në vazhdimësi personave me autizëm.  Këtë vit, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, ju ftojmë të gjithëve që më 2 Prill, në ora 20:00, të ndalim të gjitha dritat në shtëpitë tona e të dalim të gjithë në ballkon/dritare, duke ndezur dritat e telefonit apo edhe qirinj, si shenjë solidarizimi për fëmijët dhe të rriturit me autizëm.  Shoqata “Autizmi flet” me 2 Prill | 20:00 | ju pret të dilni N’ballkon ose në dritare!”, thuhet në njoftim.

Thirrje të njëjtë ka bërë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një publikimi në Facebook ka kërkuar nga qytetarët që të ndriçojnë nga ballkonet e tyre me të kaltër për personat me autizëm.

“Sot është dita botërore e Autizmit.  Teksa qëndrojmë në shtëpi sot në mbrëmje le të ndriçojmë me të kaltër për të gjithë këta persona të veçantë. Ata munden, t’u japim hapësirë. Në ora 20:00, nga ballkonet tona të ndriçojmë me të kaltër për autizmin”, ka shkruar Vitia.

2 prilli është caktuar nga OKB-ja si Dita Botërore e Autizmit, për ndërgjegjësimin e popullatës rreth këtyre personave.

Sipas shkencëtarëve, njerëzit autistë zakonisht kanë prirje të veçanta në lëmenj të ndryshëm, prandaj inkurajimi dhe përkrahja për t’i zhvilluar më tej aftësitë e tyre ndikon pozitivisht në largimin e energjisë negative që mund ta kenë ata.