Ndëshkimi për prokurorin Maqedonci, reagon Rrjeti i Grave

Pas shqiptimit të masës disiplinore ndaj prokurorit Maqedonci, reagon Rrjeti i Grave të Kosovës

Rrjeti i Grave të Kosovës, ka reaguar pas shqiptimit të masës disiplinore ndaj prokurorit Rexhep Maqedonci.

Rrjeti i Grave të Kosovës për KALLXO.com, deklaruan se kjo masë disiplinore duhet të ketë ndikim edhe tek prokurorët tjerë që të mos përsëriten gabimet e njëjta.

“Le të shpresojmë që kjo masë disiplinore do të ketë ndikim që prokurori në fjalë të mos e përsëris më të njëjtin gabim, dhe të shpresojmë që përmes këtij vendimi edhe prokurorët tjerë do të jenë profesional gjatë zbatimit të punës së tyre”, thanë për kallxo.com, përfaqësuesit e kësaj organizate.

Sipas kësaj organizate kjo masë disiplinore nuk do të ndodhte fare po të mos kishte reagim të organizatave jo-qeveritare dhe mediave vendore për këtë rast.

Rrjeti i Grave të Kosovës bën thirrje te institucionet përkatëse që të angazhohen në ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët trajtojnë rastet e dhunës dhe ngacmimeve seksuale me qëllim që viktimat e këtyre krimeve të pranojnë trajtim me dinjitet dhe ushtruesit e tyre të marrin dënimet meritore.

Dje gjatë ditës KALLXO.com, raportoi për masën disiplinore që i është shqiptuar prokurorit Rexhep Maqedonci, pasi ky i fundit ende pa e intervistuar viktimën dhe pa e trajtuar rastin, e paragjykoi rastin dhe e fyu raportuesen.

Pas raportimit të KALLXO.com, prokurori Maqedonci largohet nga rasti i studentes që u ankua për ngacmim seksual

.