Ekipi Kombëtar i Kosovës në fotografinë zyrtare para fillimit të ndeshjes Rumani - Kosovë, në stadiumin e Bukureshtit | Foto: FFK
Ndeshja me Rumaninë, FFK dërgon në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv vendimin e UEFA-s
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka njoftuar se ka dërguar në CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv) vendimin e UEFA-s për ndeshjen me Rumaninë.
Sipas njoftimit, në këtë institucion FFK ka dërguar ankesë ndaj vendimit të UEFA-s.
Më 20.11.2024 UEFA ka vendosur që ta regjistrojë ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 për Rumaninë dhe ka ndëshkuar Kosovën me 6 mijë euro gjobë për shkak të, siç e ka quajtur UEFA në vendim, sjellje të pahijshme të skuadrës.
“FFK-ja përveç angazhimit të ekipit të vet ligjor, është në konsultim edhe me disa studio ligjore me përvojë të madhe me lëndët në CAS, kryesish nga Zvicra dhe Gjermania, për t’ u përfaqësuar në mënyrën e vet më të mirë në këtë betejë ligjore në kërkim të së drejtës për Federatën dhe ekipin tonë Kombëtar”- thuhet në njoftimin e FFK-së.
Futbollistët e Kosovës e kishin marrë vendimin për t’u larguar nga fusha në ndeshjen kundër Rumanisë e datës 15.11.2024, pasi sipas tyre vazhdimisht ishin sulmuar me thirrje kundër Kosovës, por që në fund të ndeshjes thirrjet ishin intensifikuar.
Në anën tjetër, UEFA i ka shqiptuar disa gjoba edhe Rumanisë.
Rumania është ndëshkuar me 50 mijë euro dhe mbyllje të stadiumit në ndeshjen e ardhshme si vendase për shkak të sjelljes raciste ose diskriminuese, anti-hungarese të tifozëve rumunë.
Ndërsa për thirrjet e tyre ndaj Kosovës, UEFA nuk i ka konsideruar si raciste.
UEFA ka dënuar Federatën Rumune të Futbollit me 30 mijë euro për transmetimin e mesazheve provokuese e politike, të papërshtatshme për ngjarje sportive.
UEFA e ka dënuar Federatën Rumune me vetëm 12 mijë e 500 euro për shkak të reagimeve gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës.
Ndërsa me 8 mijë euro e ka dënuar për laserët që shpeshherë gjatë ndeshjes i kanë penguar futbollistët kosovarë, duke ua drejtuar në sy.
Vendimin e plotë të UEFA-s mund ta lexoni KËTU.