Foto: Bedri Hamza/ Facebook
Ndërtohet Ura për këmbësorë te Liqeni Akumulues, e cila në vitin 2023 filloi të ndërtohej pa leje
Ura e re e ndërtuar mbi Liqenin Akulumues me mbishkrimin “I Love Mitrovica” është e destinuar për qytetarët, të cilët frekuentojnë këtë pjesë.
Kjo Urë kishte filluar të ndërtohet në vitin 2023, mirëpo punimet u ndërprenë sepse komunarët nuk ishin pajisur me leje asokohe.
Për ndërtimin e kësaj Ure ka njoftuar i pari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, më 04.12.2024.
“Një urë e re mbi Liqenin Akumulues të Mitrovicës, e cila nga sot është e hapur për qytetarët. Një projekt i realizuar me shumë përkushtim nga Komuna e Mitrovicës për t’i forcuar lidhjet e qytetarëve tanë.”- tha ai.
Hamza tha se angazhohet të ndërtojë ura jo vetëm mbi lumenj e liqene “por edhe mbi çdo sfidë të Kosovës”.
KALLXO.com raportoi më 08.08.2023 se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPH) pati gjetur se për punimet e zhvilluara për ndërtimin e Urës për këmbësorë në rrjedhën e lumit Ibër në Mitrovicë, nuk është marrë parasysh asnjë kriter i paraparë për mbrojtjen e ujërave.
Inspektorati mjedisor kishte urdhëruar ndaljen e menjëhershme të punëve, derisa ka shqiptuar edhe dënime për rastin në fjalë. Rasti ishte denoncuar edhe në Polici, edhe në Prokurori.
Sipas Ministrisë, Komuna e Mitrovicës nuk ka qenë e pajisur me leje përkatëse për këto punime – gjë që, kishte bërë që të ndërpritet rrjedha e lumit, si dhe të shteret shtrati i tij.
KALLXO.com kishte raportuar për shterjen e lumit Ibër dhe për arsyetimet e institucioneve për këtë çështje.
Lidhur me këtë çështje, nga Ministria patën thënë se ekipi profesional i Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore ka bërë të gjitha veprimet – sipas legjislacionit të ujit me ekspertizat e nevojshme.
“Punimet e zhvilluara për ndërtimin e Urës për këmbësor, në rrjedhën e lumit Ibër, nuk kanë marrë parasysh asnjë kriter të paraparë me legjislacionin ujor e mjedisor për ndërtime në mjedisin ujor, në ruajtjen e ekuilibrit natyror dhe ekosistemit ujor, në bazë të Prurjes së Pranueshme Ekologjike – sipas Udhëzimit Administrativ.”
Kështu thuhej në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, nga Fatlije Buza, udhëheqëse e Divizionit për Planifikim të Resurseve Ujore në Autoritetin Rajonal të Pellgjeve Lumore, që operon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Tutje, ekipi i Ministrisë thoshte se Komuna e Mitrovicës nuk ka pasur dijeni për kriteret e ndërtimit në ujërrjedha.
“Punimet janë zhvilluar nga Punëkryesi, projekt i Komunës së Mitrovicës (nën mbikëqyrje të tyre) – duke mos pasur dijeni për kriteret e ndërtimit në ujërrjedha, nga fakti që nuk ka qenë i pajisur me leje Ujore (Kushte , Pëlqim Ujor). Prandaj, ka mbyllur portën për të zhvilluar punimet e urës.” – kishte theksuar, tutje, ajo.
Sipas përgjigjes, “Inspektorati i MMPHI, menjëherë ka marrë masat e duhura dhe ka realizuar procedurat e bazuara në legjislacion, në mungesë të Pëlqimit Ujor, për rastin e punimeve të Urës n♪ zonën Urbane të Komunës.”
Zëvendësministri i MMPH-së, Avni Zogiani, kishte bërë të ditur se rastin e kanë denoncuar edhe në organet e Drejtësisë.
“Inspektorati mjedisor ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të punëve, ka shqiptuar dënime e ka denoncuar dëmin në Polici e Prokurori! Inspektorati komunal është i obliguar të sigurojë zbatimin e këtij Vendimi!” – kishte shkruar ai në Facebook.
Për këtë Vendim të Ministrisë, KALLXO.com i kishte dërguar pyetje Komunës së Mitrovicës, mirëpo nuk kishte marrë përgjigje.
Qytetarët kanë shprehur shqetësime për mungesën e ujit në lumin Ibër, ndërkaq institucionet në Mitrovicë kanë pasur qëndrime kundërthënëse.
Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në gusht të vitit 2023 kishte konfirmuar për KALLXO.com se kanë pranuar denoncimin në lidhje me këtë rast.
Më 23 korrik 2023, Komuna e Mitrovicës kishte njoftuar se arsyeja e mungesës së ujit në lumë është për shkak të punimeve të zhvilluara në Liqenin e Ujmanit.
Në anën tjetër, kryeshefi i “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka pati thënë se arsyeja kryesore e mungesës së ujit në lumin Ibër janë punimet te ndërtimi i Urës në Liqenin Akumulues, si dhe hapja e portave të Liqenit.