Ndërtimtarët nuk ua paguajnë Trustin punëtorëve - VIDEO

 

Në edicionin e së mërkurës, KALLXO.com transmetoi hulumtimin për bizneset e ndërtimit të cilat nuk ua kanë paguar punëtorëve të tyre obligimet në Trustin Pensional.

Informacionet e pranuara në Kallxo.com janë bartur në Administratën Tatimore të Kosovës e cila nisi edhe inspektimet e para.

Blerim Hamiti, drejtori i Departamentit për Tatim Paguesit e Mëdhenj ka treguar për nisjen e këtij inspektimi.

“Bazuar në ankesat e disa qytetarëve në lidhje me kontributet pensionale sot do ta zhvillojmë një aksion, ta shikojmë gjendjen në teren në lidhje me ankesat e këtyre qytetarëve”, tha Hamiti.

Cak i inspektimit nga inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës ishte një biznes i cili ka rreth 300 punëtorë dhe disa nga ta kishin raportuar se nuk po u paguhej trusti.

“Jemi prej Administratës Tatimore na i jepni të gjithë letërnjoftimet”, u thotë inspektori punëtorëve në vendin e punës.

Inspektorët fillojnë kontrollimin e të gjithë punëtorëve veç e veç dhe të dhënat e grumbulluara do krahasohen me kontratat e punës që gjenden në biznes.

Kontrolli vazhdon në betonjerken e cila furnizon me beton punishten në fjalë.

“Në vazhdën e realizimit të aktivitetit tonë ishim në pikën e parë në punishte ndërsa tani jemi duke shkuar në një fabrikë që merret me prodhimin e betonit për qëllimin e njëjtë, verifikimin e punëtorëve që gjenden në vendin e punës”, theksoi inspektori Xhavit Aliu.

Pas kontrollit në vendin e punës inspektorët mësyjnë zyret e kompanisë për t`i kërkuar listat e plota të pagave dhe punëtorëve.

Inspektori: Këto kontribute që janë të pa paguara për punëtorët për cilën periudhë janë?

Përfaqësuesi i Kompanisë: Janë 2020 dhe deri në shtator 2019 janë krejt të paguara d.m.th. janë të pa paguara tetor nëntor dhe dhjetor 2019.

Inspektori: cilët janë indikatorët që ju nuk keni arrit me i paguar pasi që ju ia keni ndalur punëtorëve kontributet e pagës dhe trustit.

Përfaqësuesi i Kompanisë: Fillim kemi qenë në kontrolle nga ATK-ja dhe kemi pritur një verdikt se kemi qenë nën presion dhe kemi prit një thymje të këtyre kurse në vitin 2020 si të gjitha kompanitë që kemi pasur pak vështirësi që ka pas toleranca edhe prej ATK-së që ta shtyjmë afatin e deklarimit dhe pagesës.

Gjatë bisedimeve me përfaqësuesin e kompanisë rezulton se informacioni i qytetarëve ishte i vërtetë, punëtorëve nuk u kishin paguar kontributet për gati dy vite.