Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ vendosë që të rinumërohen 12 vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për rinumërimin e vetëm 12 vendvotimeve.

Ky vendim ka ardhur si aprovim ndaj rekomandimit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Sipas KQZ-së vendvotimet që rinumërohen i takojnë disa komunave: Gjakovë (1); Fushë Kosovë (1); Rahovec (1); Podujevë (3); Prizren (2); Skënderaj (1); Suharekë (1); Ferizaj (1); dhe Vushtrri (1).

QNR-ja ka rekomanduar rinumërimin e këtyre vendvotimeve, sepse sipas Burim Ahmetaj, shef i sekretariatit të KQZ-së, kjo ka të bëjë kryesisht me formularët e përputhjes së të dhënave dhe të rezultateve.

“Ka të bëjë me formularët  e rezultateve të kandidatëve dhe në disa raste kemi që nuk është plotësuar, pra kemi mungesë të nënshkrimeve nga ana e këshillave të vendvotimit. Kemi raste kur mungon edhe vetë formulari”, tha ai.

Alim Rama anëtar i LVV-së në KQZ, tha se rekomandimet duhet të vijnë më herët në mënyrë që me pas kohë me i shqyrtuar.

Rama tha se po shihet trend i ngadalshëm i përpunimit të të dhënave. Për këtë u pajtua edhe Sami Hamiti anëtar i KQZ-së nga LDK-ja.

KQZ-ja gjithashtu ka aprovuar edhe dy rekomandime të tjera të QNR-së: 1. Rekomandohet që të gjitha zarfet e fletëvotimeve me kusht nga vendvotimet në të cilat ka mospërputhje të anulohen, pra ato zarfe që nuk janë të nënshkruara dhe zarfet tjera të procesohen si të rregullta; 2. Të gjitha zarfet e fletëvotimeve me kusht nga vendvotimet si në listë dhe të cilat janë hetuar si dhe materialet tjera të hetuara nuk rezulton se ka mospërputhje të procesohen si të rregullta.